Si çdo vjet edhe sivjet në kishën ortodokse “Shën Pjetri”, myftiu i Dibrës, Ramazan Asa i uroi festën e Krishtlindjes përfaqësuesit të kishës Bllagoja Spiroski dhe mbarë besimtarëve ortodoks duke u dëshiruar mbarësi dhe suksese në të ardhmen.
“Qëllimi i festave fetare është të arrihet bashkim familjar, shoqëror dhe miqësor. Me këto festa njerëzit janë të lumtur , të gëzuar dhe të bashkuar pa urrejtje dhe pa përçarje ndaj njëri tjetrit pa dallim feje dhe etniteti, sepse fetë gjithmonë kanë luajtur këtë rol në historinë e njerëzimit”, theksoi myftiu i Dibrës, Ramazan Asa.
Ndërkaq i pari i KIshës ortodokse në Dibër, Bllagoja Spirovski duke uruar festën e Krishtlindjeve , gjithë besimtarëve ortodoks potencoi se “Dita e Krishtlindjeve është dita e madhe e besimtarëve ortodoks , dita e ringjalljes së Krishtit, dita e bashkimit e të gjithë njerëzve. Prania dhe tradita e përhershme që haset në Dibër mes dy konfesioneve fetare, është shembull për vendin tonë”.
“Bashkëjetesa jonë secilën ditë shtohet dhe zhvillohet. Dashuria ndaj njëri tjetrit është e madhe dhe kjo ndodh vetëm në Dibër. Dëshiroj që ne të parët e Shtëpive të Zotit, të xhamive dhe kishave, të jemi shembull për gjeneratat e reja, të kontribuojmë për respektin mes etniteteve në jetën e përditshme , mirëkuptimin tonë, sepse jemi një familje e madhe dhe e do të mbetemi përherë bashkë për të ndihmuar njëri tjetrin”, theksoi prifti Spirovski.