Site icon PORTALB

Përmbytjet si metaforë dhe shteti si Shtet

Agron Vrangalla

Agron Vrangalla

 

Përmbytjet e një pjese të Shkupit nxorën në shesh shumë elemente që konstatuan një të vetëm: që kjo tragjedi është thjeshtë një metaforë e gjithë sistemit tonë politik. Duke filluar nga viktimat që rrëmbeu masa e ujit, paaftësia politike për të menaxhuar siç duhet situatën, vizitat e funksionarëve shtetërorë sikur po bëjnë ekspeditë, ndarja e ndihmave pa asnjë lloj metodologjie, të bërit dallim në baza etnike dhe disproporcionaliteti i ndarjes së ndihmave, janë vetëm disa indikatorë që tregojnë se kjo tragjedi i ngjan këtij shteti me gjithë çfarë ka brenda. Por ky nuk është momenti më i mirë për t’ju futur kësaj analize. Pyetja kryesore që kam unë është kjo: Përse shteti nuk e ka idenë se si të gjendet në një situatë të tillë, dhe çfarë hapash do të duhej të ndërmerrte për të kaluar sa më lehtë këtë katastrofë, le ta quajmë për momentin natyrore?!

Gjëja më kryesore, si nuk iu kujtua njeriu se hapi i parë që duhet ndërmarrë në kësi lloj rastesh është evakuimi i banorëve? Pa kryer këtë hap, çdo gjë që bëhet më tej është kot. Shteti, megjithatë, ka kapacitete dhe resurse të mjaftueshme që këtë ngjarje ta mbulojë fare lehtë. Ja disa hapa që mund të bëjë shteti për të pasur efikasitetin e duhur, ose më saktë, që është dashur ta bëjë që në ditën e parë të vërshimeve:

Evakuimi i banorëve – asnjë frymë e gjallë të mos ngelej aty, dhe të njëjtët të mos kapnin kokën se ku do kalonin natën, por shteti duhej të sigurojë banesa ku banorët do të qëndronin përkohësisht. Pse u dashka që ata të shqetësojnë farefisin duke qëndruar në shtëpitë e tyre siç po bëjnë tani?;

Kontrollimi i tërësishëm i terrenit dhe gjetja e trupave të pajetë, apo i njerëzve që kanë ngecur diku e që ende janë gjallë;

Hospitalizimi dhe kujdesi shëndetësor i njerëzve që janë gjetur të gjallë;

Identifikimi i kufomave dhe bartja e tyre nëpër vende të posaçme për të mos marrë erë;

Informohen familjarët që kanë humbur të afërmit e tyre se trupat janë gjetur por duhet të bëjnë pak durim. Të njëjtit varrosen në atë moment kur shteti vlerëson se ka kushte të tilla;

Pastrimi i të gjitha kafshëve të ngordhura dhe regjistrimi i tyre sipas shenjave apo numrave që kanë (nëse kanë);

Sigurimi i të gjithë makinerisë së nevojshme për të pastruar rrënjësisht zonën e prekur. Ato shtëpi që janë dëmtuar tërësisht të rrënohen, ndërsa të tjerat të lihen ashtu siç janë pasi të jenë pastruar;

Dezinfektimi i të gjithë ambientit të kontaminuar;

Rikonstruimi i sistemit të kanalizimit, ujit, rrymës e kështu me radhë. Ose më saktë, përmirësimi i të gjitha gabimeve që ka bërë shteti nga pakujdesia (këtu bën pjesë dhënia e tenderave shërbim-për-shërbim, papërgjegjësia e kompanive private që kanë bërë punën shkel e shko dhe mos-ndëshkimi i të njëjtave nga ana e shtetit, inferioriteti i shtetit ndaj ndërtimeve pa leje dhe kaosi infrastrukturor etj.);

Pasi të jenë kryer të gjitha procedurat në terren, bëhet bilanci i dëmeve, duke filluar që nga objektet e banimit, mjeteve vozitëse, kafshëve, arave, kopshteve me zarzavate e tjera. Shteti, në bazë të këtij bilanci qytetarëve u siguron mjete për kompensimin e dëmeve në mënyrë të drejtë dhe transparente;

Në ato shtëpi që shteti vlerëson se mund të jetohet, i fton banorët të kthehen ne vatrat e tyre. Të tjerëve u siguron vendbanime të reja sipas mundësive buxhetore që posedon shteti.

Në këtë mënyrë, ta zëmë Kryqi i Kuq, nuk do të lodhej për të mbajtur mend fytyrat e njerëzve se kush erdhi dy herë apo tri herë e kush nuk ka marrë akoma asnjë pako me ushqim, por fare lehtë do të vizitonte banorët e evakuuar në pallatet ku shteti u ka siguruar qëndrim të përkohshëm, dhe ndihmat do t’i ndante derë më derë. Madje nuk do të kishte nevojë as për shoqata humanitare, edhe pse kush do të dëshironte, do të ishte i mirëseardhur.

Në asnjë moment nuk duhet lënë anësh zëvendësimi, kombinimi apo fshirja e këtyre pikave, sepse fundja shteti gjithë këtë e bën duke angazhuar ekspertë të fushave të ndryshme dhe nuk pyet të tjerët se si duhet dukur plani për të ndihmuar qytetarët… por këto pika janë vënë thjeshtë në formë të një “ndriçimi” për t’u bërë me dije se aksionet e ndërmarra deri më tani nga ana e autoriteteve, nuk janë në vijën e duhur. Këtë e shohim çdo ditë atje, gjatë qëndrimit tonë si gazetarë.

Kam përshtypjen se i gjithë ky kaos që po shkaktohet këto ditë në Hasanbeg, Stajkovc, Straçincë apo në ndonjë zonë tjetër të përfshirë nga përmbytjet, thjeshtë nuk kishte pse të ndodhë sikur Shteti të tregohej pak më i “shkathët” në shpagimin e detyrimeve ligjore që ka ndaj taksapaguesve të vet.

Exit mobile version