Site icon PORTALB

SHBA-të kërkojnë përforcimin e forcave paqeruajtëse në Sudanin e Jugut

Sudan

Sudan

SHBA-të i kanë prezantuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së) një propozim-plan për dërgimin e katër mijë policëve dhe ushtarëve të tjerë në forcat paqeruajtëse në Sudanin e Jugut, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas propozim-planit, forcat e OKB-së në kryeqytetin e Sudanit të Jugut, Xhuba, do të përforcohen me dërgimin e katër mijë policëve dhe ushtarëve shtesë.

Plani do të japë një autoritet i cili do të mundësojë mbrojtje rajonale për sigurinë në vend dhe “përdorimin e të gjitha mjeteve të nevojshme”, ndërkohë që KS i OKB-së bën thirrje për embargo në armë për Sudanin e Jugut në qoftë se nuk shfaqet asnjë pengesë nga vendi për zbatimin e planit.

Po ashtu, ky propozim-plan kërkon nga palët që menjëherë t’i japin fund luftës dhe t’i respektojnë dispozitat e marrëveshjes për armëpushim dhe paqe, si dhe parasheh që Misioni i OKB-së në Sudanin e Jugut (UNMISS) i cili do të përfundojë më 12 gusht, të shtyhet deri më 15 dhjetor të këtij viti.

Plani i prezantuar nga SHBA-të gjithashtu synon përforcimin e forcave paqeruajtëse që përbëhen nga 17 mijë policë dhe ushtarë ndërkombëtarë që gjenden në Sudanin e Jugut që nga 16 dhjetori i viti 2013, kur edhe filloi lufta civile.

Sudani i Jugut, i cili e shpalli pavarësinë para pesë viteve duke u ndarë nga Sudani dhe duke u bërë shteti i 193-të në OKB, ishte përfshirë nga lufta civile më 16 dhjetor 2013 kur presidenti Salva Kiir Mayardit përjashtoi nga detyra zëvendësin e tij Riek Machar me pretendimin se “kishte tentuar të realizonte grusht shteti”.

Në luftimet mes fisit Dinka të udhëhequr nga Mayardit dhe fisit Nuer të udhëhequr nga Machar, kanë humbur jetën dhjetëra mijëra persona, më shumë se dy milionë e 200 mijë i kanë braktisur shtëpitë, ndërsa mijëra të tjerë u përballën me rrezik vdekjeje nga uria.

UNMISS, pas tentativës për grusht shteti dhe luftimeve që pasuan, ofron mbrojtje për afërsisht 40 mijë persona që qëndrojnë në kampet afër misionit.

Exit mobile version