Site icon PORTALB

PAS SHIUT

Lindita Kadriu

Lindita Kadriu

Shumë është edhe kur vetëm një person paguan me jetë fatkeqësinë natyrore dhe politike. Para fatkeqësisë së parë jemi të pafuqishëm, të dytën pafalshëm gjatë e kemi votuar dhe toleruar.

Deri më tash së paku 22 viktima nga vërshimi i shiut dhe vërshimi i haramit.

Sa mjete buxhetore të parapara për kanalizime dhe asfaltime kanë mbaruar në xhepa private?

Kush drejtonte projektet infrastrukturore shkel e shko me qëllim të profiteve personale?

Sa mjete buxhetore nga investimet kapitale janë riprogramuar për qëllime tjera, joparësore?

Deri më tash së paku 600 milionë euro për Shkupin 2014. Kaq buxhet mjafton për rrjetin urbanistik që do të parandalonte katrahurën ose këto përmasa të saj. Falë nonshalancës së kokave kompetente, kushtet jetësore tek ne kategorizohen si luks që mund të pret ditë më të mira.

Prandaj:

Kush do të bart përgjegjësi objektive politike për humbjet në njerëz dhe dëmtimet materiale?

Prefektë dhe drejtues të dikasterëve përgjegjës qeveritarë a do të japin dorëheqje? Po funksionarët më të lartë?

Ndonjë qelizë e atrofuar e moralit publik dhe ndërgjegjes a do të aktivizohet ndër kompetentët?

…Në shtetet më normale procedura do shkonte më tej: pse dhe ku kanë ngecur projektet infrastrukturore? Tash është e nevojshme të rikujtojmë premtimet parazgjedhore: çka thonin, çka bënë!?

Në “vendin e humbëtirë ballkanas” në shekullin 21, viti 2016, në kryeqytet vdiset nga shiu dhe mungesa e urbanizimit.

Kush do t’u sqarojë shkupjanëve që humbën familjarët e tyre përse ky haraç duheshte të jetë kaq i lartë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version