Site icon PORTALB

Policia e Kosovës: Janë siguruar prova për zbardhjen e sulmit ndaj Kuvendit

Policia e Kosovës

Pas sulmit të mbrëmshëm ndaj godinës së Kuvendit të Kosovës, situata e sotme në Prishtinë shfaqet e qetë dhe normale. Pamjet e regjistruara nga Anadolu Agency (AA) flasin për prezencë të policisë në oborrin e Kuvendit, ndërsa godina e dëmtuar dëshmon se Kuvendi i Kosovës, natën e katër gushtit ishte objekt i një sulmi me mjet shpërthyes.

Policia e Kosovës në një prononcim ka shpalosur detajet nga sulmi i mbrëmshëm mbi Kuvendin e Kosovës. Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, shprehet se pas marrjes së informacionit për sulm mbi Kuvendin, policia e Kosovës me njësitet e saj, duke përfshirë edhe ato të specializuara ka reaguar menjëherë duke ndërmarrë veprime të shpejta operacionale dhe hetimore lidhur me ngjarjen.

“Si rezultat i angazhimeve profesionale policore, përveç sigurimit të vendit të ngjarjes është arritur që gjatë operacionit për identifikim të të dyshuarve dhe sigurimit të provave që mund të çojnë në zbardhjen e rastit janë gjetur dëshmi relevante si: një mjet për hedhjen e predhave, me të cilën dyshohet se është kryer sulmi ndaj ndërtesës së Kuvendit të RKS-së. Policia ka arritur që në rrugën ‘1 tetori’ ta gjejë një motoçikletë e cila ishte duke u djegur dhe shishe molotovi, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga të dyshuarit”, ka deklaruar Hoxha.

Sipas zëdhënësit të policisë, nuk ka pasur raportime për ndonjë person të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale në murin e ndërtesës së Kuvendit, janë dëmtuar disa dritare si dhe disa automjete zyrtare të cilat kanë qenë të parkuara.

Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive për të zbardhur këtë ngjarje.

Exit mobile version