Site icon PORTALB

OKB thirrje për armëpushim në Halep

OKB

OKB

Zv/Përfaqësuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Remzi Ezzeldin Remzi, duke theksuar se po bëhen bisedime intensive për arritjen e armëpushimit në Halep, tha se “Nuk po e humbim dhe nuk mund ta humbin shpresën. Të jemi durimtarë. Besoj që brenda disa ditëve të arrihet përparim”, raporton Anadolu Agency (AA).

Remzi dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Norvegjez për Refugjatë Jan Egeland, i cili njëherit është drejtuesi i mbledhjeve në Gjenevë të Grupit Ndërkombëtar Mbështetës për Sirinë (ISSG), pas mbledhjes së grupit punues për qasjen e ndihmave humanitare, organizuan konferencë të përbashkët për media.

Duke theksuar se synojnë që sërish të fillojnë me bisedimet për Sirinë në Gjenevë në fund të muajit gusht, Remzi u shpreh se “Për shkak të ashpërsimit të aktiviteteve ushtarake, ende vazhdon dëshpërimi ynë sa i përket gjendjes humanitare.”

Remzi theksoi se kanë vazhduar takimet me të gjitha palët për rinisjen e bisedimeve dhe se takimet nuk mund të vazhdohen pa praninë e forcave opozitare. Ndërkaq, në lidhje me punimet dhe gjendjen humanitare atje, ai tha se “Po zhvillojmë takime intensive me Rusinë dhe Sirinë për mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e ligjeve ndërkombëtare.”

Në lidhje me një pyetje rreth arritjes së armëpushimit në Halep, Remzi u përgjigj se “Ka bisedime intensive mes përfaqësuesve (të Rusisë dhe SHBA-ve) për ndaljen e luftimeve. Edhe ne po zhvillojmë bisedime me pale të ndryshme. Përfaqësuesi i Posaçëm i OKB-së për Sirinë javën e kaluar ishte në Teheran, ndërsa unë në Damask. Kemi ende kohë. Nuk po e humbim dhe nuk mund ta humbin shpresën. Të jemi durimtarë. Besoj që brenda disa ditëve të arrihet përparim.”

Ndaj një pyetjeje tjetër se sa është reale mundësia që Rusia dhe regjimi i Sirisë t’i ndalin aktivitetet ushtarake në Halep, Remzi u përgjigj se “Këtë pyetje duhet t’ua drejtoni atyre, megjithatë mendoj se askush nuk zhvillon aktivitete ushtarake vetëm që t’i pengojë ndihmat humanitare dhe zgjidhjen politike. Halepi është shumë i rëndësishëm dhe për të duhet bërë diçka sa më parë. Mendoj se në ditët në vijim ende ekzistojnë gjasa.”

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Norvegjez për Refugjatë Jan Egeland i cili është drejtues i mbledhjeve në Gjenevë të Grupit Ndërkombëtar Mbështetës për Sirinë, u shpreh se muajin e kaluar janë përpjekur të kenë qasje te 1,2 milionë persona që jetojnë në zona të rrethuara apo të vështira për qasje, porse përshkak të luftimeve kanë mundur të arrijnë vetëm deri te 40 përqind prej tyre.

Duke u bërë thirrje Rusisë, SHBA-ve dhe shteteve të ISSG-së në lidhje me qasjen e ndihmave humanitare, Egeland tërhoqi vërejtjen se “Ndihmat humanitare duhet të dorëzohen sa më parë. Njerëzit, meqë nuk po mund të evakuohen, po vdesin nga humbja e gjakut dhe janë në prag të urisë.”

Exit mobile version