Site icon PORTALB

Përdorimi politik: shefi i SodaStream akuzon Netanjahun se la pa punë palestinezët

Shefi i kompanisë izraelite SodaStream

Shefi i kompanisë izraelite SodaStream ka ndërmarrë një sulm dërrmues ndaj kryeministrit të vendit, Benjamin Netanyahu, duke e fajësuar atë se ka nxjerrë nga puna 500 nga ish-punonjësit e tij palestinezë.  Daniel Birnbaum, i cili ka qenë në qendër të një serie konfliktesh kur fabrika e SodaStream u zhvendos nga territoret e pushtuara në një vendndodhje të re në shkretëtirën Negev në Izrael, këmbëngul se nuk është e vërtetë se kompania e tij u detyrua të zhvendoset për shkak të presionit nga lëvizja pro-palestineze për bojkot e sanksione.

Në vend të kësaj arsyeje të përfolur, Birnbaum në një intervistë goditëse në “Times” që tërhoqi zemërimin e menjëhershëm të Netanjahut, thotë se ishte Izraeli përgjegjës për humbjen e punës për 500 punonjës izraelitë.

Birnbaum, që ishte një nga folësit kryesorë në një aktivitet të lëvizjes në Shtetet e Bashkuara, akuzon Netanjahun dhe qeverinë e tij për shndërrimin e konfliktit me palestinezët në një konflikt pa fund, për interesat e tij, dhe e përshkruan atë si “kryeministrin e konfliktit”.

“Më lëndon të them se besoj se kjo administratë po ushqen konfliktin në të gjitha manifestimet e tij më djallëzore. Ata ushqejnë urrejtjen dhe bojkotin dhe separatizmin”.

Pretendimet e Birnbaum janë dyfish dëmtuese për shkak se ai është mbajtur nga qeveria izraelite si shembull i dëmeve që janë shkaktuar nga lëvizja pro-palestineze për bojkot. Në të vërtet, pretendimet se presioni i kësaj lëvizjeje ka sjellë humbjen e vendeve të punës për 500 palestinezë kanë qenë një pikë e fortë e debatit që ngriti qeveria e Izraelit e që u shpërnda përmes ambasadave dhe mbështetësve të saj.

Duke thënë se plani për zhvendosjen e fabrikës ka qenë hartuar kur lëvizja ishte ende në hapat e parë të formimit të saj, Birnbaum që e përshkruan veten si “djathtist pragmatist”, këmbëngul se kompania kishte dashur të mbante forcën e punës palestineze kur u zhvendos në një vendndodhje më të madhe për t’u përshtatur me rritjen e prodhimit.

“Plani ynë ishte të mbanin çdokënd që dëshironte të vazhdonte punën…. Por ne u gjendëm ngushtë për t’i mbajtur punonjësit tanë, përfshirë edhe 500 palestinezët”, tha ai. “Nisa bisedimet me zyrtarët qeveritarë për të siguruar lejet e punës për palestinezët. Do të ishte e thjeshtë pasi të gjitha ata punonjës ishin skanuar nga siguria e Izraelit dhe përfshiheshin në kuotat ekzistuese”.

Pasi kishte kërkuar nga qeveria e Tel Avivit për 350 leje pune, sidoqoftë, Birnbaum kishte mbetur i habitur se i kishin dhënë vetëm 120 të tilla pavarësisht faktit, si thotë ai, se i gjithë stafi kishte kaluar testimin e sigurisë së Izraelit për të punuar në fabrikën e vjetër. Shifra prej asaj kohe ka shkuar në zero.

Duke përshkruar një takim të vitit 2014 me stafin e Netanjahut, Birnbaum pretendon se ishte ndërhyrja e Netanjahut që la pa punë dhe pa leje pune stafin palestinez. “Kryeministri pa një mundësi dhe krijoi rrethin e tij të manipulimeve në kurriz të punonjësve tanë besnikë. Zyra e kryeministrit ndërhyri për të penguar punësimin e palestinezëve tanë, në mënyrë që Bibi të mund të tregonte me gisht lëvizjen pro-palestineze”.

Rrëfimi i Birnbaum u refuzua nga zyra e Netanjahut, që e akuzoi atë se është përulur ndaj lvëizjes pro-palestineze madje, duke sfiduar versionin e vet të ngjarjeve, pasi sipas qeverisë Netanjahu ka ndërhyrë për të ndihmuar Birnbaumin. “Kryeministri mund të kishte thënë se nuk do e ndihmonte fare. Ndoshta nuk duhet ta kishim ndihmuar”, thuhet në reagim.

Përgatiti: Tesheshi.com

Exit mobile version