Mustafa: Kosova ka shënuar rritje solide ekonomike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot priti në takim menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, ku u diskutua për progresin e arritur në Kosovë dhe për projektet e përbashkëta që do të mundësonin rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit thuhet se Mustafa ka shprehur se Qeveria ka prioritet projektet në energjetikë, në bujqësi, në zgjerimin e sistemit të ujitjes, përgatitjen dhe punësimin e të rinjve në tregun e punës, efiçiencën në energjetikë si dhe reformat që po ndërmerren në fuqizimin e sektorit privat.

Kryeministri Mustafa, gjithashtu vuri në dukje angazhimin e Qeverisë në investimet kapitale, në arsim, në shëndetësi e fusha të tjera të jetës, në kuadër të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ndërkohë menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Mantovanelli, duke vlerësuar lartë të arriturat në Kosovë, foli për punën që po bëhet në përgatitjen e strategjisë së Bankës Botërore për ndarjen e fondeve për Kosovën në periudhën e ardhshme.

Ai bëri të ditur mundësitë e Bankës Botërore për t’i përkrahur projektet energjetike, projektet për rritje ekonomike të qëndrueshme, për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë dhe gratë, projektet në bujqësi, në infrastrukturë, teknologji informative, e fusha të tjera.

“Strategjia e Bankës Botërore do të jetë kompatibile me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe programin qeverisës të Kosovës. Gjatë takimit, ishte konkluzion i përbashkët se Kosova, falë reformave dhe përkushtimit të deritashëm, ka shënuar rritje solide ekonomike dhe ka arritur t’i adresojë disa prej sfidave të deritashme”, thuhet në njoftimin nga zyra e Kryeministrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button