Site icon PORTALB

Solar Impulse 2 nis pjesën e fundit në rrugëtimin rreth botës (FOTO)

Avioni me energji diellore Solar Impulse 2 (SI) nga Kajro sot do të niset drejt Abu Dhabit, që është edhe pjesa e fundit në rrugëtimin e tij rreth botës, raporton Anadolu Agency (AA).

Avioni pas përfundimit të përgatitjeve të fundit u largua nga aeroporti ndërkombëtar i Kajros.

Para fluturimit për Abu Dhabi, mediave në Kajro iu drejtua piloti Bertrand Piccard.

Avioni me energji diellore më 13 korrik në Kajro arriti nga Sevila. Gjysmë ore para se të ulej në kryeqytetin e Egjiptit, avioni bëri një fluturim simbolik mbi piramidat e mëdha në Giza. Avioni me energji diellore “Solar Impulse 2”, i cili për fluturim shfrytëzon vetëm energjinë diellore, udhëtimin e tij rreth botës e nisi më 9 mars 2015 nga Abu Dhabi.

Deri më tani ka vizituar Omanin, Indinë, Mijanmarin, Kinën, Japoninë, disa qytete të SHBA-ve, Spanjën dhe Egjiptin.

Avioni i cili drejtohet nga pilotët Andre Borchberg dhe Bertrand Piccard, arrin shpejtësi mesatare prej 45 kilometra në orë, ndërsa në periudhën kur rrezet e diellit janë më të forta, ai mund të dyfishojë shpejtësinë.

Peshon 2.3 ton, ndërsa krahët i ka të gjata 72 metra ku janë vendosur 17.248 qeli diellore. Në saj të baterive prej litiumit, avioni mund të fluturojë edhe gjatë natës.

Exit mobile version