Site icon PORTALB

Edukim, rrugë tjetër nuk ka

Alfons Çupaj

Alfons Çupaj

Shpesh, guxojmë të flasim për vlerat dhe të vërtetën.
Pohojmë pa hezitim se përqafimi i vlerave universale na çon drejt një shoqërie më të mirë, por, sa kalojmë pragun e derës, bëjmë kompromise të turpshme në kurriz të këtyre vlerave.

Harrojmë se çfarë është solidariteti, respekti, toleranca, dashuria, humanizmi, meritokracia, e drejta, e vërteta dhe befas kthehemi në intolerantë, të dhunshëm, koprracë, të paduruar, të ligë, të anshëm, subjektivë, manipulues dhe gënjeshtarë.

Sot, kufiri mes të vërtetës dhe gënjeshtrës është shumë i hollë.

Propaganda e vazhdueshme që bëhet në favor të së keqes, si një e mirë e domosdoshme dhe absolute, ka bërë konfuzë një pjesë të mirë të shoqërisë.
Ka hezitim për të përcaktuar se cila është vërteta dhe e duhura, pasi makijazhi dhe propaganda që i bëhet së keqes, e paraqet atë si një të mirë. Qytetari ka shumë pak mundësi të përcaktojë “të vërtetën”, pasi nuk ka në dispozicion mjete që e ndihmojnë ta bëjë këtë.

Në shumë raste, media, e cila shihet si e vërteta më e madhe, i shërben politikës, ndaj ka gjasa që kjo ”e vërtetë” që ajo transmeton me të madhe, të jetë ”e pavërtetë”. Qytetari i thjeshtë dhe i ndershëm, nëpunësi, profesori, shitësi, bujku, studenti, pensionisti, personat me aftësi të kufizuar, janë braktisur.

E keqja është kthyer në standard.
Antivlerat shihen si rruga e vetme drejt triumfit, drejt lartësimit, drejt ngadhënjimit dhe një vendi të sigurt në piedestal, fatkeqësisht, shpesh herë, me bindjen se kjo është rruga e duhur.
Sot, në këtë moment tepër delikat, fatin e shoqërisë e kanë në dorë akademikët dhe pedagogët. Ata nuk mund të heshtin kurrsesi.
Kanë detyrë të shpëtojnë vendin nga kjo theqafje masive.

Kemi nevojë më shumë se kurrë të mësojmë se çfarë është dinjiteti, morali, puna e ndershme, meritokracia, e vërteta, ndërgjegjja, bashkëjetesa, toleranca, solidariteti, atdhetarizmi, sovraniteti, kombi.
Në shkolla, para se të flitet për shkencë, duhet të flitet për vlera.

Vetëm pasi të ndërgjegjësohemi për vlerat njerëzore, vetëm atëherë mund të bëhemi një shoqëri më e mirë.

Exit mobile version