INTELEKTUALI PUBLIK

Një radhë, një mbret kishte thirrur një dijetar me nam, më të mirin e më të mirëve, ta bënte gjykatës suprem, nëse jo, të bëhej edukator privat i fëmijëve të tij dhe nëse as këtë s’e pranote të vinte e të hante një drekë a darkë në pallatin e tij. Dijetari, përkundër mësytëve e delegacioneve, s’kishte pranuar në asnjë mënyrë të bëhej pjesë e detyrave dhe gradave të pushtetit. Pas shumë hezitimeve rreth kërkesës së tretë, më në fund kishte pranuar të hante bukën mbretërore. Dhe më në fund, pasi kishte vajtur te mbreti, i kishte pranuar edhe dy postet e propozuara. Gjëzë: Ku është urtësia në këtë mini-rrëfim?

Intelektuali është njeri që ka kaluar nivele dhe filtra të ndryshëm arsimorë e edukativë, i pajisur me diplomë a çertifikata që provojnë ekspertizën-specializimin e tij dhe statusin e caktuar më të lartë nga qytetarët ordinerë, përgjegjësinë specifike lidhur me ngjarjet e fenomenet. Inteligjencia përfshin tërësinë e shkollarëve, në veçanti të atyre kulmorë që racionalizojnë rreth dukurive shoqërore dhe përtej. Truri elitar është ai që funksionon për të mirën kolektive, që ka barrë shumë më të rëndë se sa indvidualja. Çdo shoqëri synon që të krijojë një klasë të njerëzve akadmeikisht të ngritur dhe të përgatitur me të cilët do ta ndërtojë të tashmen dhe të ardhmen dhe do të garojë me të tjerat.

Sot, kur jetojmë në kohë të çuditshme, në kohët kur të gjithë përbërësit shoqërorë frymojnë në një botë të blozës ngulfatëse, kur vlerat janë zhvlerësuar, kur kultura është varfëruar, kur qytetërimet janë acaruar, kur njeriu ka humbur nga ajo sublimja, nga thelbësorja e vet, kur kemi shumë shkollë pak mendarë, kur vërejmë figura intelektuale por pak guximtarë, çëshja e intelektualit të publicizuar është shumë aktuale, duhet të diskutohet dhe të avancohet. Në veçanti në kontekstin kur të gjithë heshtin para pushtetarëve, kur të gjithë nga masa flasin përmes rrjeteve sociale, kur intelektualët s’bëjnë zë, kur profesorët janë shndërruar në figura shkallaresh, katedrash e zyrash, në evaluatorë studentësh, utilitaristë e hedonistë sui generis, nevoja për intelektualët e fismë proaktivë dhe publikë është domosdoshmëri, nevojë si uji.

Dekadave të fundit, në botën e parë, shfaqja e intelektualëve publikë si kritikë të rëndësishëmkulturorë dhe kritikë ka ngritur pyetje-çështje fondamentale jo vetëm për funksionin social të akademikëve por edhe lidhur me raportin mes arsimit të lartë dhe jets publike, mes punës akademike dhe çështjeve kryesore që e formësojnë shoqërinë më të gjerë. Sipas kësaj paradigme, gjuha e tyre duhet të jetë edhe e ashpër edhe e rrokshme. Kjo ngase bota akademike prodhon punime që janë abstrakte për një publik të informuar përgjithësisht, ose e veçojnë shkollarinë e tyre nga një mori çështjesh dhe problemesh që e formësojnë jetën e përditshme në vend dhe më gjerë. Kjo platformë synon përfshirjen e inteligjencisë në komunikimin me audienca të ndryshme, në të menduarit dhe kërkimzgjidhjen për gjendje të cilat ndikojnë jetët e tyre.

Një  nga mendimtarët që merret me këtë çështje është Richard Posner, i cili flet për profilin e akademikut i cili është në gjendje të komentojë probleme jashtë specializimit të vet, për përmirësimin e performancave të këtij tregu dhe të debatit publik.

Konteksti ynë, shqiptar dhe publik-intelektuali shënjon një subjekt të palëvruar sa duhet. Përderisë në komunizëm kishte një profil të intelektualit të kapur në rrjetën e regjimit, të kushtëzuar e “të përpunuar”, sot pas 25 viteve të tranzicionit, mund të themi se kemi akademikë të mirëshkolluar, të deideologjizuar, por edhe të atillë që janë reminishencë e së kaluarës, që nuk ia dalin të shfaqin egon e tyre intelektuale, të shprehin opinionin e tyre lirshëm e pa komplekse. Imagjinoni shkollarët që gjithë ditën e kalojnë nëpër selitë partiake, që shkruajnë elozhe për liderët e gurutë e vet. Lirisht und të thuhet se më të zëshëm janë gazetarët, që përbëjnë një shtresë më poshtë akademisë, sesa profesorët universitarë. Pse ndodh kështu? Dobësia për vetëqëndrim në këmbë, për mbijetesë pa rrugën e shtruar nga politika, krijon kuazishkollarë, pakurrizorë, të cilat nuk kanë potencë për të përgatitur breza të lirë, që mendojnë lirë dhe veprojnë lirshëm. A kemi intelektualë publikë ndër ne? A i kalon kjo shifër pesë gishtërinjtë e dy duarve apo është shumë më masovike? Si qëndrojmë krahasuar me Kosovën e Shqipërinë? Ku është disidenca intelektuale, ku është komuniteti kritik që frymon me popullin dhe për popullin?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button