Site icon PORTALB

Dinamo i fortë për Vardarin

Duel nga ndeshja Vardari - dinamo Zagreb

Duel nga ndeshja Vardari - dinamo Zagreb

Vardari i Shkupit është mposhtur në ndeshjen e parë nga Dinamo Zagreb në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve. edhe pa filluar ndeshja, skuadra kroate ishte favorite absolute në këtë duel, duke marrë parasysh edhe përbërjen e futbollistëve që kanë dy skuadrat, por edhe përvojën që Dinamo ka në garat e ndeshjeve evropiane.

Ndeshja kishte filluar me iniciativë të Dinamo Zagrebit, ndërsa goli i parë u shënua në minutën e 22-të, kur pas një krosimi të Sudanit, Mijushkoviq nuk arriti të godet fortë topin, që ai të përfundojë në portën e ekipit të tij.

Tetë minuta më vonë përsëri ishte Sudani që e filloi aksionin, duke u shëtitur në repartin e mbrojtjes së Vardarit, që më pas të asistoj për Rog i cili shënoi për 2:0.

Me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim, ndërsa në pjesën e dytë dy ekipet kishin mjaft shanse për të shënuar, ndërsa Vardari shfrytëzoi vetëm një.

Në minutën e 55-të pas një asistimi të mrekullueshëm nga Felipe, Hambarxhumjan shënoi golin e nderit për nikoqorët, të cilët do ta kenë shumë të vështirë në ndeshjen kthyese pas shtatë ditëve në Zagreb.

Ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampioneve vazhdojnë edhe sot, ndërsa Shqipërinë pas suspendimit të Skënderbeut, do ta përfaqësojë skuadra e Partizanit, që sonte përballet me kampionët e Hungarisë, skuadrën Ferencvarosh, ndeshje kjo që fillon në orën 20:00, ndërsa Agim Ibraimi me ekipin e tij të ri Astana, do të luajë si mysafire e Zhallgiris të Lituanisë. /Portalb/

Exit mobile version