Një tjetër histori prekëse vjen në programin “Ka një mesazh për ty” tek “E Diela Shqiptare”. Mariglena ka udhëtuar nga Italia për tu bërë pjesë e këtij programi të veçantë. Por, historia që ajo ka vendosur të ndajë me publikun është e dhimbshme dhe plot peripeci.
Ajo rrëfen se që në moshë të vogël është detyruar të përballet me mjaft vështirësi në familje, ku përveç atyre ekonomike, problemi më i madh ka qenë ai shëndetësor me të cilin është përballur nëna e saj dhe gjithë pjestarët e tjerë të familjes që duhet të kujdeseshin vazhdimisht për të.
Mariglena thotë se problemet e nënës së saj më pas sa filluan të shtoheshin dhe për këtë arsye ata ju drejtuan mjekut të familjes për t’i kërkuar rekomandimin për të zhvilluar një vizitë tek një kirurg tjetër. Dhe pas vizitës tek kirurgu tjetër, Mariglena mësoi se nëna e saj vuante nga kanceri i gjirit.
Lufta për Mariglenën ishte e dyfishtë, luftë të cilën u desh ta niste në moshë tepër të re për të ndihmuar nënën e saj që kishte tepër nevojë duke lënë mënjanë shkollën e saj.
Pas operacionit të parë i cili kaloi me sukses, nënës së Mariglenës iu desh t’i nënshtrohej një operacioni të dytë i cili la shumë pasojë për të, pasoja të cilat i përjetuan shumë keq edhe pjesëtarët e tjerë të familjes.
Pas gjithë këtyre peripecive Mariglena thotë se nëna e saj ishte shumë pesimiste dhe se akuzonte vazhdimisht ata për gjendjen e saj, për moskujdesin, kjo vinte si rezultat i gjendjes së saj tepër të rënduar fizike dhe psikologjike.
“Kur erdhi në shtëpi mami ishte gjithmonë pesimiste, filloi të na akuzonte, ju nuk po kujdeseni me mua siç duhet për fajin tuaj unë mora infeksion, për fajin tuaj unë nuk po ushqehen siç duhet, për fajin tuaj kimioterapitë nuk po japin funksionin e tyre. Ne si familje e kishim shumë të vështirë, babi sidomos se nuk dinte çfarë të bënte.”
Por, dashuria dhe sakrifica e njerëzve të saj të dashur e mundën këtë gjendje të zonjës Adivije e cila tashmë është përmirësuar.
Mariglena e lumtur për përmirësimin e shëndetit të saj, i ka rezervuar nënës një surprizë, pikërisht në studion e “E Diela Shqiptare”, ku e falënderon për gjithçka dhe i kërkon që të bëhet më e fortë, të jetë ajo “burrnesha” e mëparshme dhe të mos shqetësohet për çdo gjë, por të jetë krenare me fëmijët e saj të cilët me sakrifica kanë arritur shumë dhe vazhdojnë të arrijnë falë ndihmës dhe dashurisë së pakursyer të prindërve./tvklan.al