Site icon PORTALB

Majko: Shqipëria rrezikon të përfshihet në një spirale anti-perëndimore

Pandeli Majko

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko deklaroi sot se Shqipëria aktualisht rrezikon të përfshihet në një spirale anti-perëndimore duke vënë në shënjestër qëndrimin e PD-së për reformën në drejtësi pas letrës së ambasadorit Donald Lu, drejtuar deputetëve një ditë më parë.

Deputeti i PS-së, Majko në një postimi në statusin e tij ne Facebook, paraditen e së premtes, shprehet: “Udhëtimi drejt askundit si altermativë. Letra e djeshme e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ka sjellë një udhëkryq të pazakontë. Ajo është përgjigja ndaj saj”.

“Letra e Ambasadorit Lu është e paprecedentë për mënyrën se si politika amerikane vendos raportet me një çështje në pamje të jashtme si “çështje e brendëshmë” e një vendi. Ka pak njerëz, por ka edhe në Partinë Demokratike që e kuptojnë “kodin” e saj. Kjo parti u krijua si aspiratë ndaj Perëndimit e shoqërisë shqiptare përpara 25 viteve. Ky është fakt. Shqipëria aktualisht rrezikon të përfshihet në një spirale anti-perëndimore. Ky është një rrezik real. Askush nga ata që bëjnë sikur flitet për një “interes personal” të një ambasadori, me këtë që po ndodh, janë duke thënë të vërtetën. Eshtë e tepërt që letra e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të shikohet e lidhur edhe me “refuzimin” e Edi Ramës për dialog. Ky i fundit, në këtë fazë të reformës, nuk ka çfarë “të negociojë” edhe po të dojë ta bëjë këtë” shprehet Majko.

Në vijim, Majko shkruan se: “E vërteta e vërtetë është se politika shqiptare nuk është vënë nën presion për të pranuar të “pamoralshmen” apo “kapjen e sistemit”. Arsyetimi se refuzimi i reformës së drejtësise është një akt sovraniteti është ironik. Edhe zhurma nën tavolinë për refuzimin e një “Euleksi” në Shqipëri nuk ka asnjë paralele për një vend anëtar të NATO-s. Reforma e drejtësisë do të preki vetëm “sovranitetin” e sistemit të korrupsionit në vend. Refuzimi i kësaj Reforme do të njollosi vendin dhe politikën e tij. Statusi ndërkombëtar i Shqipërisë dhe jo sovraniteti i saj është ai cfarë diskutohet me votimin ose jo të reformës në drejtësi. Refuzimi i Reformës të Drejtësisë nuk do të jetë një akt ku “cudia më e madhe zgjat tre ditë!” Letra e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës bën të qartë se politika shqiptare është përgjegjëse për një vendim që shkon përtej një mandati katër vjeçar për të cilin ajo është votuar”.

“Refuzimi i Reformës së Drejtësisë do të konsiderohet një akt frike i politikës. Historikisht kur politika dhe frika janë bërë bashkë ato e kanë izoluar Shqipërinë. 21 korriku është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Politika duhet të vendoset në krah të interesave kombëtare të vendit”, shkruan Majko.

Exit mobile version