Site icon PORTALB

Blerja e influencës në Ballkanin Perëndimor

Vesel Memedi

Vesel Memedi

Mënyra selektive në të cilën mendja njerëzore e obzervon botën përreth, dhe informatat që ndihmojnë në arritjen e këtij obzervimi, krijon bazamentin e perceptimit. Për të fituar vëmendje, qeniet njerëzore përdorin taktika shokuese, surpriza, humor ose çdo mjet që i detyron njerëzit të shikojnë ose dëgjojnë. Në momentin sa përfitohet vëmendja e njerëzve, ju filloni të mbjellni te njerëzit të mbajnë mend mesazhin tuaj, pa mos e filtruar aspak nga qëndrimi dhe sistemi individual mental. Përsëritja ndihmon që informata dhe mesazhi juaj të ngulitet në mendjen e njerëzve. Ky koncept i thejshtë shpjegon situatën se sa shpesh dëgjojmë dhe shohim mesazhin e njëjtë duke u përsëritur gjithandej.

Ky koncept shpjegon një fenomen mjaft të rëndësishëm në psikologjinë sociale – konceptin e nevojave. Nevojat motivojnë fuqishëm sjelljen e qenieve njerëzore. Njerëzit blejnë ushqim kur janë të urritur, blejnë veshje mbrojtëse që të ndjehen më të sigurtë, blejnë veshje brendi që të duken me stil, edukim dhe arsimim që t’u mundësohet arritje dhe vet-përmirësim për të arrit vet-aktualizimin, kulminacioni i piramidës hierarkike të nevojave të Maslou. Nevoja sa më bazike të jetë, prioriteti bëhet aq më i madh që e nxit njeriun të përmbushi nevojën në fjalë. Nëse njeriu ka kapacitet që të bind njerëzit tjerë se shërbimi juaj që ofroni përmbush nevojat motivuese të qenieve njerëzore, atëherë ju mund të bindni ata që të blejnë mesazhin tuaj pa ndonjë problem të madh. Kështu funksionon procesi kognitiv i qenieve njerëzore.

Një nevojë mjaft e rëndësishme e qenieve njerëzore është edhe nevoja e prestigjit, imazhit, ndikimit, ose fuqisë. Njerëzit orvaten të bëhen të pasur jo vetëm përshkak të pasurisë si motivacion primar, por përshkak të fuqisë që sjellë pasuria. Politikanët janë një shembull konkret që kërkojnë të realizojnë këtë nevojë të fuqisë duke gjeneruar para të majme për të finansuar kampanjat e tyre si një mjet deri te qëllimi – arritja deri në pushtet. Arritja e fuqisë nëpërmjet pushtetit është një nektarë joshës dhe i papërmbajtshëm për shumë politikan. Kjo dëshirë që udhëhiqet nga egoja, disa herrë është në shërbim të një vizioni më të madh dhe admirues për një shoqëri më humane dhe më të drejtë, por disa herrë bëhet më shumë për status më të lartë në shoqëri.

Për këtë arsye, qeveritë e ndryshme të huaja, organizatat dhe institucionet e ndryshme, por pse jo edhe individët, janë të prirë të japin donacione dhe ndihma të ndryshme. Këto donacione dhe ndihma jepen për arsye të ndryshme. Në disa raste, donacionet dhe ndihmat jepen nga dëshira e madhe për anime të zgjeruara ideologjike. Në raste të tjerra, donacionet dhe ndihmat jepen që të sillen politika të ndryshme që do të ndihmonte biznesin, punëtorët ose familjarët e donatorëve të ndryshëm, dhe në fund ka njerëz që donojnë dhe ndihmojnë dhe në këtë mënyrë shpresojnë se do të mund të ruhet status kuo-ja. Hulumtimet e fundit tregojnë në mënyrë eksplicite se donacionet dhe ndihmat e huaja jepen për të blerë politikanët, por pse jo edhe shtetet, me qëllim që të ketë qasje dhe ndikim më të lehtë te këta njerëz apo shtete.

Maqedonia, si gjith shtetet tjerra në botë nuk janë imune ndaj këtyre tentimeve për blerje të ndikimit dhe fuqisë nga donacione dhe ndihma të huaja. Në njërën anë kemi patur ndihma dhe donacione zyrtare nga shtete të ndryshme perëndimore jo vetëm për ndikim, por për të përgadit vendin të kalojë tranzicionin nga një sistem monist në një sistem pluralist demokratik, zhvillimin e të menduarit kritik, krijimin e kushteve konkurruese me botën perëndimore, dhe shumë arsye tjerra sekondare dhe terciale. Për të thith këto fonde të huaja, përveç qeverisë zyrtare, që nga pavarsimi i vendit e deri më sot në sipërfaqe si këpurdha dolën shumë organizata joqeveritare. Gjatë përdorimit të këtyre fondeve, qoft nga qeveria apo shoqëria civile, janë keqpërdorur aq shumë fonde, saqë mund të flitet për dështim total të ndikimit apo zhvillimit të shoqërisë vendase për t’u përballur me sfidat e botës perëndimore. Sot, keqpërdorimet e këtyre fondeve i kemi në sipërfaqe gjithandej, saqë edhe tri dekada nuk kanë mjaftuar të kalojmë tranzicionin dhe ti bashkangjitemi familjes së madhe të Bashkimit Evropian. Komuniteti ndërkombëtarë, institucionet e vendit, si dhe shoqëria civile mbajnë përgjegjësi për këtë dështim të përmasave gjigante.

Në anën tjetër, gjatë kësaj periudhe kohore 25 vjeçare, kemi patur edhe donacione dhe ndihma zyrtare nga bota lindore, por pse jo edhe të fshehta, për të njëjtat arsye që u përmendën më lartë – ndikim në vend dhe në rajon, si dhe zhvillim të shoqërisë si parapërgaditje për një botëkuptim tjetër nga botëkuptimi perëndimorë. Për të thith këto donacione dhe ndihma, në sipërfaqe si këpurdha dolën shumë organizata joqeveritare, humanitare, por pse jo edhe religjioze, dhe sot lirisht mund të thuhet se ky organizim shoqërorë është më i suksesshëm se organizimi dhe menaxhimi i fondeve perëndimore. Përdorimi, qoft edhe keqpërdorimi i këtyre fondeve, është treguar shumë i suksesshëm dhe ky ndikim i këtyre fondeve ka depërtuar gati në çdo pore të jetës së organizimit shoqërorë. Në realitet, sa më shumë të keqpërdoren këto fonde, aq më shumë do të jep rezultate në të ardhmen, dhe sot i kemi në sipërfaqe ‘frutet’ e këtij përdorimi apo keqpërdorimi. Maqedonia, por pse jo edhe Ballkani perëndimorë në përgjithësi janë në ndikim të madh të organizimit shoqërorë si rezultat i gjith këtyre donacioneve dhe ndihmave lindore.

Njohësit e mirë të gjeopolitikës e dinë shumë qartë peshën gjeostrategjike të Ballkanit perëndimorë, pavarsisht se dikushi mendon se kjo pjesë e Ballkanit nuk është e rëndësishme. Ndikimi në Ballkanin perëndimorë ka qenë, dhe do të vazhdoj të jetë e rëndësishme për shumë kënd, prandaj të gjithë forcat progresive duhet të jenë vigjilent për këtë pjesë të Evropës. Vigjilenca duhet të rritet edhe më shumë tani, kur kjo pjesë e Ballkanit ka filluar të luaj si një korridor i zgjatur e gjith asaj që është duke ndodhur në Lindjen e mesme. Blerja e ndikimit në Ballkanin perëndimorë ka filluar që më herrët, ndërsa tani ka marrë një intensitet të përshpejtuar. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që të hapen kartat me qëllim që gjith e vërteta të delë në sipërfaqe sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund t’i jepet fund zhvillimit artificial të Ballkanit perëndimorë, dhe fillimit të shtet-ndërtimeve të natyrshme.

Në konkluzë të gjith kësaj, komuniteti ndërkombëtarë, sëbashku me institucionet e vendit duhet të pranojnë dështimet në këtë drejtim, dhe të marrin masat e duhura sa nuk është vonë. Nevoja për të blerë ndikim dhe fuqi në Ballkanin perëndimorë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, por është shumë e rëndësishme që ky ndikim të kanalizohet në drejtim të duhur. Kanalizimi duhet drejtuar kah forcat progresive, pavarsisht a janë nga oksidenti apo orienti, sepse forca të tilla ka gjithandej. Në të kundërtën, nëse kanalizimi bëhet drejt forcave destruktive, atëherë pasojat do të jenë të rënda për vendin dhe shoqërinë në përgjithësi. Tani është koha që të del në sipërfaqe e gjith blerja e ndikimit në vend dhe Ballkanin perëndimorë në përgjithësi, sepse në të kundërtën manipulimi dhe mashtrimi në emër të zhvillimit me pasoja të rënda do të vazhdoj edhe në të ardhmen. Të gjitha fenomenet duhet të marrin emërtimin e duhur!

Vesel Memedi

Exit mobile version