Të paktën 20 gazetarë, mes tyre dhe të huaj përballen me akuza të rënda nga hetuesit egjiptianë.
Gazetarët akuzohen për pjesëmarrje dhe mbështetje të terrorizmit. Në listën prej 20-emërore, 16 janë gazetarë vendas dhe 4 të tjerë janë gazetarë të huaj, 2 britanikë, një holandez dhe një australian.
Pjesa më e madhe e gazetarëve janë korespondentë të rrjetit prestigjoz mediatik, Al Jazeera. Një ditë më parë, mediat ndërkombëtare në një deklaratë të përbashkët u kërkuan publikisht autoriteteve egjiptiane të lirojnë menjëherë të gjithë gazetarët.
Ndërsa ndaj 16 gazetarëve vendas rëndojnë akuza më të rënda si pjesëmarrje në grupime terroriste, referuar këtu “Vëllazërisë Myslimane”, ndaj 4 gazetarëve të huaj rëndon akuza e “mbështetjes së terrorizmit dhe nxitjes së luftës civile”.
Njëri prej të arrestuarve mendohet se është Peter Greste, korespondenti i Al Jazeera në Kajro. Ditë më parë ai publikoi analizë ku shpaloste pikëpamjen e tij mbi mundësitë që Egjipti të përfundonte në një luftë civile.
Tetë prej të akuzuarve janë nën pranga tashmë, ndërsa 12 të tjerë janë shpallur në kërkim.