Shqipëria ka edhe një stadium të dytë kombëtar, më modern dhe më i madh se ai i Elbasanit
Tashmë Shqipëria ka edhe një stadium të dytë kombëtar, por më modern dhe mbi të gjitha më i madh se sa ai i Elbasanit.
Inspektimi i fundit i UEFA-s në Shkodër për të parë mbarëvajtjen e punimeve në stadiumin “Loro Borici” dhe për të parë se si janë plotësuar detyrat që kishin lënë nga kontrolli i fundit duket të ketë rezultuar pozitiv. Anëtari i Komitetit i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe mbikëqyrësi i punimeve në këtë stadium, Arben Dervishaj ka konfirmuar pikërisht këtë gjë.
“Stadiumi ka përfunduar. Aktualisht janë duke u mobiluar ambientet e dhomave të zhveshjeve, ambientet VIP dhe të medias. Po bëhen punimet e fundit dhe në vazhdën e kësaj ka ardhur edhe një grup nga UEFA për të parë se si janë plotësuar detyrat që ata na lanë. Deri tani të tëra kërkesat e tyre janë plotësuar. Për ne stadiumi është i përfunduar, mund të ngelin zbukurimet e fundit që nuk prishin asgjë”, shprehet Arben Dervishaj, anëtar i Komitetit në FSHF.
Një tjetër kërkesë që mbetet ende e pa zgjidhur është çështja e parkimit, jo për tifozët, por për autobusët e skuadrave dhe mbi të gjitha për makinat e transmetimit të televizioneve. Kjo është një ngërç i theksuar edhe në kontrollet e mëparshme nga kontrollet e UEFA-s, por që mendohet të gjendet një zgjidhje alternative duke qenë se hapësirat përpara stadiumit janë shumë të limituara.
Përpara se të merret “OK” përfundimtar i UEFA-s, duhet zhvilluar një ndeshje inauguruese që do të testojë realisht të gjitha sistemet e stadiumit të ri, për këtë arsye është menduar që të luhet ndeshja e Superkupës së Shqipërisë, e cila ende nuk është përcaktuar si datë, por mendohet rreth muajit gusht.