Site icon PORTALB

Kur njëra palë akuzon, tjetra e gëzon të drejtën e prononcimit

Nga teksti në INA për akuzat e Ernad Fejzullahut ndaj Musa Xhaferrit

[Recension: Musa Xhaferi ka marrë nga 5.000 euro ryshfet, përmes shoferit të tij]

Kur njëra palë e artikullit gazetaresk, adreson akuza për një palë tjetër, nuk mund që përmbatja të nisë e përfundojë vetëm me atë që akuzon. Në këtë rast, shkelet parimi i raportimit gjithpërfshirës, objektiv dhe të balancuar. Sidomos kur bëhet fjalë për akuza për korrupsion, ryshfet dhe keqpërdorime të ngjashme që prekin interesin publik, kur gazetari ka edhe më tepër brumë për të bërë lajm.

Lajmi që po recensojmë është tendencioz dhe i njëanshëm. Autori, në përmbajtje, por edhe mes rreshtave, favorizon njërën palë, atë që akuzon.

Deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Ernad Fejzullahu, gjatë seancës së sotme kuvendore kushtuar pyetjeve të deputetëve, ka thumbuar zv/kryeministrin e ri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit,festim Halili.

Linku deri te artikulli origjinal: “Musa Xhaferi ka marrë nga 5.000 euro ryshfet, përmes shoferit të tij””
Data dhe koha e publikimit: 30.06.2016
Data e recensionit: 01.07.2016
Recensues: Adrian Kerimi

Për të gjitha akuzat e padëshmuara, as nga pala që akuzon e as nga autori, ky i fundit nuk ka kërkuar qëndrimin e palës dytë.  Derisa në këtë rast nuk është kërkuar qëndrimi i palës së apostrofuar, gazetari ka shkelur Kodin etik, i cili thotë: “Gazetari duhet të sigurojë distancë profesionale prej subjekteve politike”.

“Pyes Halilin se a është tarifa për punësimin e shqiptarëve në administratë nga tre deri pesë mijë euro, ashtu siçe kishte paraardhësi yt Musa Xhaferi, apo ka ndryshuar. E dyta: Paratë për punësimine  shqiptarëve në administratë i merr vetë ti, apo ngel praktika e Musa Xhaferit që i merrte përmes shoferit të tij”, ka pyetur Fejzullau, duke konstatuar mungesën e Halilit në seancë kuvendore dhe duke vlerësuar se “kryeministri ua paska ndaluar të prezantojnë në seancë”.

Për një emër, një prononcim. Ky është rregull dhe ligj i pashkruar i gazetarisë profesionale, i cili duhet medoemos të funksionojë kur raportojmë. Lajmi në fjalë apostrofon shumë emra, ndërsa vetëm njëri prej tyre është favorizuar duke ia transmetuar deklaratën. Veprimi i tillë vetëm se e vërteton faktin që teksti është i njëanshëm dhe tendencioz, serse për një akuzë të rëndë dhe të pakonfirmuar, nuk është kërkuar qëndrimi i palës së prekur rëndë përmes këtij prononcimi.

Përveç faktit që nuk është kërkuar qëndrim nga pala e përfshirë dhe nuk është treguar nëse ka provuar të marrë qëndrim ose jo, teksti është edhe i pastrukturuar dhe me gabime drejtshkrimore. Kjo mbase vërteton procesin e shpejtë dhe të pakontrolluar për të plasuar sa më shpejtë “informacione” online, pavarësisht nëse këto kanë kaluar filtrat siç janë verifikimi i informacionit dhe burimit, transparenca dhe objektiviteti.


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Exit mobile version