Site icon PORTALB

Statistikat e shpikura nuk e mbulojnë anshmërinë

Nga teksti në Zhurnal për ikjen e studentëve kosovarë prej universiteteve në Maqedoni

[Recension: “Studentët nga Kosova braktisin UT-në, Shtulin dhe Universitetet tjera private nga Maqedonia”]

Arsimi është fushë jo shumë e hulumtuar nga mediat në Maqedoni, por, nga ana tjetër, shumë e rëndësishme për shoqërinë. Çështjet që kanë të bëjnë me të e ngjallin interesimin e publikut, andaj, një trajtim objektiv nga media, natyrisht që do ta ndihmonte zhvillimin e tij. Ky tekst që do të analizojmë, nuk e bën këtë gjë, për arsye të mungesës së fakteve dhe objektivitetit.


Linku deri te artikulli origjinal:
Studentët nga Kosova braktisin UT-në, Shtulin dhe Universitetet tjera private nga Maqedonia

Data dhe koha e publikimit: 28.06.2016, 13:42

Data e recensionit: 29.06.2016

Recensues: Fatlume Dervishi

 

Është me interes dhe me rëndësi të madhe për publikun të mësojë për cilësinë e universiteteve, sidomos atyre publike, ku investohet edhe një përqindje e buxhetit ku qytetarët kontribuojnë si taksapagues. Është përgjegjësi e madhe profesionale dhe morale që të kritikosh fenomenin e mosfunksionimit të universiteteve sipas standardeve. Prandaj, për këtë janë të nevojshme disa burime dhe dëshmi.

Teksti në fjalë ka cituar vetëm një burim dhe pretendimet e tij i ka konsideruar si të vërtetë absolute. Asnjë tentativë nuk është bërë që të “përkthehen” në fakte dhe shifra, për të qenë më të besueshme.

““Vëllau im ishte në Shtul, mbaroi drejtësinë dhe katër vjet nuk mund të gjenë punë. Diplomën e kontestojnë dhe thonë se është marrur sa për sy e faqe. A tash më tha vëllau se nga universiteti Shtul i kanë larguar profesorët më të mirë nga Kosova si Hajredin Kuçin dhe shumë të tjerë. Me një fjalë më thotë vëllau që Shtulin e kanë bërë si çajtore familjare. Jo vetëm vëllau im, por e kam edhe djalin e hallës i cili studijon në Universitetin e Tetovës. Ai më thotë se mezi pret me padurim që ta bën transferin në Prishtinë. Po më thotë se atje shumica e profesorëve janë të korruptuar dhe vijnë nga Tetova dhe Gostivari dhe universitetet i kanë bërë si biznese familjare. Kur po i kujtoj këto raste unë po them publikisht se kurrë nuk vij të studijoj në Maqedoni”, ka deklaruar Dardani nga Prishtina.”

Autori ka ardhur në përfundim se studentët nga Kosova nuk i preferojnë universitetet e Maqedonisë. Nuk tregon se nga e ka nxjerrë këtë përfundim, por, sipas tij, edhe ata që regjistrohen, kryejnë vetëm disa vite dhe pastaj transferohen në fakultetet në Prishtinë. Kjo do të ishte një e dhënë alarmante, por vetëm nëse dikush do ta kishte konfirmuar. Asnjë autoritet dhe asnjë organ përgjegjës nuk është kontaktuar për të sqaruar dyshimet. Fjala “statistikë” përmendet vetëm si term, pa u elaboruar për çfarë statistikash bëhet fjalë dhe sa të besueshme janë ato.

“Ndryshe, edhe statistikat e fundit dëshmojnë se studentët kosovarë parapëlqejnë që të studijojnë në universitetet vendore. Rasti më i freskët është me Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë ku në konkursin e fundit janë paraparë që të regjistrohen mbi 1000 studentë.”

Si duket, në fund del në pah qëllimi i publikimit të këtij artikulli. Pasi ka “nëpërkëmbur” disa nga universitetet e Maqedonisë duke i veshur me disa karakteristika negative dhe duke mos ju dhënë hapësirën e garantuar për të shprehur qëndrimin  tyre, përmbajtja, me ton promovues, njofton për Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe jep detaje me shifra që nuk i jep për asnjë informacion tjetër më lart.

Teksti është i njëanshëm, për shkak se problemi nuk është trajtuar në mënyrë objektive, nuk u jepet hapësirë e njëjtë të gjithë palëve dhe sjellen përfundime që nuk i takojnë autorit, aq më tepër kur nuk ka fakte të mjaftueshme. Ja disa nga standardet profesionale që autori duhet të kishte respektuar:

Exit mobile version