Site icon PORTALB

Dekonstruksioni i legjendës urbane

Ahmet Selmani

Ahmet Selmani

Him Koça: “Antoni” (novelë), Kërçovë, 2015

  1. Mitologjia urbane

Novela që mban titullin “Antoni” e autorit Him Koça ndërtohet kryekëput mbi bazën e të ashtuquajturës mitologji urbane, ose legjendë urbane. Thënë fare thjesht, në këtë rast sikur mjafton vetëm një vdekje siç është ajo e personazhit të quajtur Anton, për të filluar hetimin e asaj që ka ndodhur në një moment të caktuar kohor. Pikërisht në këtë kontekst ne e shohim edhe rrëfimtarin e kësaj vepre teksa ballafaqohet me një thashethemnajë marramendëse dhe trallisëse, e cila me përmasat e saj arrin shumë shpejt të shndërrohet në një motërzim të glorifikuar brenda shoqërisë urbane, me çka më pastaj vetvetiu fillon ta bëjë jetën e saj njëlloj sikur të ishte gjallë poersonazhi në fjalë, në mos edhe më tepër. Jo më kot Rolan Barti thoshte se miti është fjalë. Pra kjo dëshmon se çdo gjë fillon pikërisht nga fjala e cila më tutje merr dhenë, bëhet akt i kryer, rrënjoset në mendësinë e njerëzve, qarkullon me një shpejtësi të papërfytyrueshme.

S’do mend, përballë kësaj vetvetiu roli i rrëfimtarit është kundërvënës, rebelues, demitizues, shpërfillës. Thjesht ai niset me një vetëdije të caktuar, pra për ta hetuar këtë rast me qëllim që ta nxjerrë në shesh të vërtetën e ngjarjes që ka ndodhur lidhur me vdekjen, varrosjen dhe zhvarrosjen e Antonit. Përballë atmosferës së paparë që është krijuar në qytetin e Urbinos, e cila madje arrin edhe deri në shkallën e një absurdi, ai detyrimisht ndjek një strategji kryekëput personale, duke shkuar gjurmëve të individit në fjalë, për ta zbritur atë në sferën reale të veprimit, që si e si të arrijë deri te akti përfundimtar i vdekjes e cila përbën kulmin e këtij realiteti të mitologjizuar.

Në këtë mënyrë vdekja e Antonit, varrosja dhe zhvarrosja e tij paraqesin shkaqet e nismës së hetimit nga ana e rrëfimtarit të novelës. Mbase kemi të bëjmë me një mision njerëzor për të hedhur dritë të mjaftueshme mbi atë ekzagjerim masiv i cili ka krijuar një variant të rremë e të shtrembëruar për qëllime të caktuara. Dhe e gjithë kjo zgjat tre muaj, siç pohon vetë ai. Pika e parë është një taksi prej të cilit mëson ca gjëra lidhur me marrëdhëniet e Antonit me gjykatësin Mario, me bankierin Luka Pacini, me politikanin Marko Simone. Pas kësaj vëmendja e tij përqëndrohet në një rrafsh retrospektiv duke hulumtuar gjenealogjinë familjare të Antonit, e cila ka një të kaluar të pasur në prodhimin e verës. Pastaj ndalet edhe te familja e ngushtë e tij, te bashkëshortja dhe gruaja të cilët po ashtu flasin për fatin e tij. Dhe në fund kjo ecuri arrin deri te varrmihësi i cili jep sqarime për atë që ka ndodhur lidhur me vdekjen, varrosjen dhe zhvarrosjen e Antonit.

Pra, duke ndjekur këtë vijë kërkuese dhe hetuese, rrëfimtrari na e paraqet ngritjen dhe rënien, mitizimin dhe demitizimin, famën dhe gënjeshtrën etj. Thjesht, ai krijon kontekstin e nënkuptueshëm për ta rrënuar mitologjinë urbane e cila shërben si formulë apo mjet i mbijetesës së një kategorie të njerëzve. Sipas kësaj logjike, vetë rëfimi merr karakter misionar, duke përmbushur një detyrim moral dhe njerëzor të rrëfimtarit.

  1. b) Miti i ringjalljes

Në gjithë këtë histori të mitologjizuar lidhur me personazhin e novelës, ekziston një gjë shumë thelbësore e cila lëviz në mënyrë të padiktueshme, madje herë vepron në rrafshin e saj real e herë në atë ireal, duke krijuar ndjesinë për atë që mund të ketë ndodhur realisht në jetën shoqërore. Dhe, për sa i përket kësaj, është krejt afër mendsh se vdekja është një gjë reale, por ikja nga varri është një gjë ireale. Kjo pak a shumë na e kujton baladën e Kostandinit që ngrihet nga varri për ta përmbushur zotimin e vet. Në rastin e Antonit përfytyrimi është i jashtëzakonshëm, gjithçka shndërrohet në motërzim urban për ta besuar si një të vërtetë absolute. Madje edhe përplasja në mes të vërtetës dhe legjendës urbane krijon polarizime të ashpra, ndarje të njerëzve në dy taborre të kundërta, në itharë besnik dhe në kundërshtarë të rreptë. Prandaj, edhe autori me një përplasje të këtillë arrin të krijojë një antagonizëm të natyrshëm, i cili nganjëherë di të marrë edhe përmasa fatale.

Në këtë rast, personazhi i tij, Antoni është prototip i viktimizuar në mënyrë të dyfishtë; edhe për nga jeta, edhe për nga vdekja e tij. Pra duket qartë se jeta e tij është mbyllur në mënyrë misterioze, por aq më tepër edhe vdekja e tij ka mbetur misterioze. Prandaj si i tillë ky rast ka mbetur si glorifikim urban i absurdit jetësor që funksionon përtej çdo logjike të shëndoshë, duke u bërë idhull i njerëzve që jetojnë në qytetin e Urbinos.

Duke e mbyllur jetën personale, ai tani bën jetën kolektive. Nuk jeton me trupin e vet, por me gojën e njerëzve. Ai është shndërruar në një mit verbal, jeton më tepër sesa të ishte i gjallë. Realiteti nuk ka ndryshuar me vdekjen e tij, por me zhvarrosjen.

Kështu, nëpërmjet personazhit të Antonit hapet një perceptim më i thellë filozofik për gjërat që ndodhin brenda jetës shoqërore. Duke na futur në vijën e rrëfimit të tij, autori Him Koça na detyron të bëjmë një ecje vertikale për ta kapur esencën e realitetit nga thellësia. Në të vërtetë, aty e ndjejmë se nuk është vetëm jeta ajo që zhvillohet me mistere të shumta, por aq më tepër edhe vdekja e cila shndërrohet në një lloj jete. Ose, shpesh ndodh që jeta dhe vdekja i zhdukin kufijtë e vet për qëllimet e caktuara të dikujt, varësisht nga marrëdhëniet që krijohen midis nejrëzve në kohë dhe hapësirë.

Prandaj novela “Antoni” e Him Koçës do të mbetet një vepër që çmistifikon realitetin urban, që bën dekonstruksionin e saj, siç do të thoshte Zhak Derrida. Pikërisht kjo formë e rrëfimit e bën prozën e tij shumë të kapshme dhe reflektuese, sepse gjithnjë na shpie drejt esencave të realitetit njerëzor.

Exit mobile version