Site icon PORTALB

Përkatësia nuk duhet të theksohet nëse s’ka ndikim në ngjarje

Teksti në Fakte për incidentin e fundit me shkelje në Kumanovë

Në kushte kur marrëdhëniet ndëretnike janë aq të brishta, shkruhet lajm që mund të nxisë edhe më tepër urrejtje ndëretnike. Përse të bëhet kjo? Kush poenton këtu? Teksti që po recensojmë në titull aludon se ngjarja ka ndodhur për shkak të dallimit etnik, por askund më tej në tekst nuk argumentohet ky fakt.

Linku deri te artikulli origjinal: “Dramë në Kumanovë, maqedonasi qëllimisht shkelë familjen shqiptare”

Data dhe koha e publikimit: 26.06.2016

Data e recensionit: 27.06.2016

Recensuese: Ferikan Iljazi

Jepen vetëm të dhënat standarde nga MPB-ja se si ka ndodhur ngjarja, por nuk jepen detaje të tjera që do të mbështesnin tezën e konfliktit ndëretnik.

“Dramë në Kumanovë, maqedonasi qëllimisht shkelë familjen shqiptare”

Duhet pasur shumë kujdes, sidomos kur në ngjarje janë të përfshirë edhe fëmijë dhe grua. Dihet se këto dy kategori të ndjeshme të njerëzve nxisin shumëfishin e dhembshurisë tek njerëzit, përfshirë edhe shqiptarët, që mund të revoltohen e të bëjnë ndonjë dëm tjetër më serioz ndaj bashkëqytetarëve maqedonas. Rastet individuale kanë emër dhe mbiemër, e jo përkatësi etnike.

Ky lajm ka pasur potencial të trajtohet vetëm si lajm nga kronika e zezë, me të gjitha të dhënat rreth zënkës dhe momentit të goditjes me makinë, por jo në plan të parë të vihet përkatësia etnike, pasi që kështu do të kuptohej sikur ky dallim ka qenë arsye për të sulmuar një familje.

Mirëpo, në raste ku zënka ka qenë në baza etnike, atëherë kjo mund dhe duhet të përmendet. Atëherë, prapëseprapë, gazetari profesional duhet t’i ikë fjalorit nxitës, t’i përfshijë të gjitha palët e involvuara në tekst, institucionet përkatëse, dhe të japë një pasqyrë reale të ngjarjes.  Por, nëse ndodhia ka qenë për krejtësisht diçka tjetër, pse është e nevojshme që  kjo të theksohet? Për më tepër, në shumë raste si gazetarë na ka rënë rasti të përballemi me raste të tilla në terren, por jemi munduar që përmendjen e përkatësisë etnike ta bëjmë me shumë kujdes, vetëm për të mos nxitur tensione. Ne mund të ndërtojmë shumë gjëra të bukura me punën tonë, por njëkohësisht mund të shkaktojmë edhe shumë dëm. Prandaj, duke e njohur vendin tonë, ashtu edhe duhet të veprojmë.

Dy nene të Kodeksit të gazetarëve i janë kushtuar pikërisht kësaj kategorie të lajmeve.

10.
Gazetari nuk ka për të krijuar ose përpunuar me vetëdije informata, të cilat i kërcënojnë të drejtat ose liritë e njeriut, nuk ka për të folur me gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)

11.
Gazetari do t’u përmbahet standardeve të pranuara shoqërore që kanë të bëjnë me dinjitetin dhe respektimin e dallimeve etnike, kulturore dhe religjioze në Maqedoni.

.


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Exit mobile version