Site icon PORTALB

Epokë e re në marrëdhëniet Turqi-Izrael

Izrael-Turqi

Bëhet e ditur se në marrëveshjen e arritur për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Turqisë dhe Izraelit, nuk gjendet asnjë dispozitë në lidhje me Hamasin, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të siguruara nga një zyrtar i lartë i Turqisë, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Turqisë dhe Izraelit u finalizua më 26 qershor, ditë e diel, në Romë.

Ndërsa Izraeli plotësoi kërkesën e parë të Turqisë në mars të vitit 2013, me çka për herë të parë në histori “kërkoi falje nga një shtet i huaj”, në kuadër të marrëveshjes së arritur mësohet se po ashtu edhe dy kushtet e tjera të Turqisë janë pranuar nga Izraeli.

Në këtë drejtim, Izraeli ka pranuar të paguajë kompensim për familjet e atyre që humbën jetën në sulmin ndaj anijes Mavi Marmara, si dhe ndërhyrjen e Turqisë në gjendjen humanitare në Gaza.

Në kuadër të marrëveshjes së arritur mes dy shteteve, krahas ndihmave humanitare, Turqia do të sigurojë edhe hyrjen e materialeve për qëllime civile në Gaza dhe do t’i zhvillojë investimet në infrastrukturë, me çka në Gaza do të ndërtohen banesa për popullin e Gazës dhe në kohë shumë të shkurtër do të fillojë me shërbime Spitali i Miqësisë Turqi-Palestinë me 200 shtretër.

Përveç këtyre, problemi më kritik në Gaza, ai i mungesës së rrymës elektrike dhe ujit të pijshëm, do të zgjidhet me rritjen e sasisë së rrymës elektrike dhe ujit që dedikohet për Gazën dhe me ndërtimin e centraleve të reja. Në këtë mënyrë, krahas Gazës, do të lehtësohet edhe realizimi i projekteve gjithëpërfshirëse siç është Zona Industriale Xhenin që parashihet për Bregun Perëndimor.

Ndryshe nga pohimet, në marrëveshjen mes dy shteteve nuk gjendet asnjë dispozitë në lidhje me Hamasinç

Zyrtari i lartë i Turqisë, duke theksuar se mbështetja e Turqisë për Shtetin e Palestinës dhe popullin e tij do të vazhdojë në mënyrë të njëjtë, tha se marrëveshja e arritur me Izraelin është sukses diplomatik i cili është arritur në saje të qëndrimit parimor dhe të vendosur të cilin Turqia e ka shfaqur që nga 31 maji i viti 2010, duke shtuar se “U pranuan të gjitha kushtet e Turqisë dhe u hodh një hap historik për përmirësimin e kushteve të popullit të Palestinës.”

Duke theksuar se me këtë marrëveshje të arritur u hap rruga për ndihma humanitare drejt Gazës ashtu siç dëshironin edhe ata që humbën jetën në Mavi Marmara, zyrtari turk bëri të ditur se në procesin për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Turqisë dhe Izraelit, Turqisë përkrahje i kanë ofruar edhe Qeveria e Palestinës dhe Hamasi.

Exit mobile version