Site icon PORTALB

Hoxha nga Gjilani që agjëroi 85 muaj të Ramazanit

Hoxha nga Gjilani, Rifat Jashari

Rrallëkush ka jetuar mbi një shekull, me mendje të kthjellët, si Rifat Jashari nga Zhegra e Gjilanit. Por, zor se mund të ketë një tjetër person që t`i ketë agjëruar 85 muaj të Ramazanit gjatë jetës së tij.

Nëse kjo kohë llogaritet në vite, atëherë del se axha Rifat ka agjëruar 7 vjet e disa ditë. Pak kush si ai ka kontribuar gjatë një shekulli jetë në çështjen kombëtare, fetare e arsimore.

Hoxha më i vjetër në regjionin e Gjilanit, mulla Rifat Jashari ka ndërruar jetë para disa javësh, në Zhegër të Gjilanit. Ndoshta ai ka qenë edhe më i vjetri në tërë Kosovën.

Sipas rrëfimeve, Rifati i kishte 103 vjet. Ishte ndër të parët që ka qenë edhe hoxhë edhe mësues, i cili fëmijëve të kësaj ane ua ka mësuar alfabetin shqip dhe serbisht.

Familja Jashari ishte shpërngulur nga fshati Sefer i Malësisë së Karadakut, më 1913, pesë vite para se të lindte Rifati, i cili do të bëhej hoxhë i nderuar në këto anë dhe më gjerë. Mësimet e para fetare i mori në Zhegër, nga imami i atëhershëm, mulla Kadriu i Llashticës. Edhe shkollën fillore, katër klasa, i kreu gjithashtu në fshatin e tij të lindjes, në gjuhën serbe (1930).

Me të kryer filloren, në mungesë të mësuesve, atë e ndalin që t’i mësojë nxënësit shqiptarë, për rreth një vit e gjysmë. Mësimi mbahej në gjuhën serbe, nën pushtetin e mbretërisë serbe. Krahas kësaj, ai për dy vite me radhë i vijoi mësimet fetare në mejtepin e fshatit, ku u pasurua me dituri dhe edukim islam nga hoxhallarët e njohur të asaj kohe, mulla Ibrahimi, mulla Kadriu, mulla Sabriu e mulla Ademi.

Pajtimtar i gjaqeve Në vitin 1932, menjëherë pasi kreu mejtepin në fshatin e tij të lindjes, vazhdoi medresenë në Gjilan, ku pas një viti u transferua në medresenë e Prizrenit, të cilën e kreu rreth vitit 1939/40. Mandej vazhdoi edhe për një vit me mësim-besimin dhe për t’u aftësuar për imam në Preshevë, te hoxhallarët në zë të asaj kohe, hafëz Nexhati e të tjerë.

Me t’u kthyer nga Presheva në vitin 1941, emërohet imam në xhaminë e fshatit të tij, në Zhegër, ku edhe shërbeu për 41 vjet me radhë, deri në vitin 1982, kur edhe u pensionua. Gjatë gjithë kësaj kohe, sa ka kryer punën e imamit, mulla Rifati pa ndërprerë ka mbajtur mësim-besimin islam me gjeneratat e reja dhe nga ai janë aftësuar e edukuar dhjetëra gjenerata të fshatit Zhegër.

Gjatë kësaj periudhe të gjatë të ushtrimit të profesionit të imamit, mulla Rifati ka zhvilluar aktivitet të bujshëm në forumet e ndryshme të Bashkësisë Islame të atëhershme në nivel të Jugosllavisë dhe Kosovës. Kështu, në vitin 1943 është zgjedhur kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, për një mandat. Në këtë post rizgjidhet edhe për tri mandate të tjera.

Mulla Rifati, së bashku me mulla Kadrinë e Llashticës janë simbol i fesë islame, jo vetëm në territorin e komunës së Gjilanit, por edhe në tërë Anamoravën. Rifati, gjatë gjithë jetës, ishte aktiv e i pranishëm pothuajse në të gjitha aktivitetet e organizuara në territorin e komunës së Gjilanit. Në kohën e fundit, në aksionin e pajtimit të gjaqeve në Anamoravë, mulla Rifati ishte në krye të punës, shkruan Kosova Sot.

Exit mobile version