Site icon PORTALB

Karvani 30 ditësh i Ramazanit po kalon mespërmes verës

Hëna

Në ditën e pesëmbëdhjetë të Ramazanit, besimtarët mysliman ndihen të freskët me agjërimin e tyre dhe po e përballojnë me sukses urinë, etjen dhe deintimitetin bashkëshortor, edhe përkundër faktit se muaji i shenjtë i agjërimit po kalon mespërmes stinës së verës.
Për besimtarët myslimanë ditët e Ramazanit janë ditë të zakonshme, ashtu sikurse ditët e muajve të tjerë. Abstenimi nga të ngrënit, të pirët dhe intimiteti bashkëshortorë, nuk i ndalon ata nga puna dhe aktivitetet tjera jetësore që i zhvillojnë në muajt e tjerë.
Agjërimi, i cili është njëri nga pesë shtyllat e Islamit, nuk i molisë dhe as nuk i dobëson ata. Përkundrazi, i forcon dhe i bënë më të kalitur në përballje me sfidat e ndryshme që iu sjell jeta. Besimtarët me agjërim e sfidojnë veten e tyre duke përafruar brenda qenies së tyre dy polet që shpesh herë marrin kahe të kundërt nga njëra tjetra, shpirtin dhe trupin.
Po ç’është në të vërtetë agjërimi, dhe ç’është puna e “tërë këtyre” ndalesave që i ka dhe i rregullon Islami?!
Teologjia islame dhe shkenca mjekësore thonë se agjërimi është adhurim ndaj Zotit, Krijuesit të njeriut dhe gjithë ekzistencës, dhe shëndet për trupin. Ato shpjegojnë se agjërimi është institucioni më i madh që ndërthur brenda vetës gjithë aktivitetin jetësor dhe adhurues të njeriut.
Agjërimi e fisnikëron njeriun shpirtërisht, duke i zhvilluar cilësitë e sakrificës, durimit, kurajës, shpresës, solidarizimit, vetëpërmbajtjes, ekuilibrimit, ndërsa e bënë të shëndetshëm fizikisht, duke i spastruar atij çdo qelizë nga tepricat që i shkonin nga stomaku i ngopur, dhe që tani, nën presionin e lukthit që kërkon ushqim, i kthehen në energji të ripërtërirë.
Teologët mysliman shpjegojnë se në të vërtetë Islami e rregullon me precizitet jetën materiale dhe shpirtërore-morale të besimtarëve. Tek çështja e ushqimit fizik, ata thonë se Islami shumë pak gjëra ndalon, ndërsa tek ushqimi shpirtëror janë më të shumta ndalesat.
Tek ushqimi dhe pija, Islami ndalon vetëm mishin e derrit dhe egërsirave, ndërsa lejon ushqimet tjera, si dhe ndalon gjakun e alkoolin, dhe lejon pijet tjera.
Ndërkaq sanksionon që morali dhe shpirti të ushqehet dhe freskohen me gënjeshtrën, shpifjen, pabesinë, tradhtinë, laramanin, dyfytyrësinë, hipokrizinë, talljen, fyerjen, sharjen, egoizmin, sadizmin, mendjemadhësinë, përbuzjen, hakmarrjen, imoralitetin, e shumë e shumë ndalesa të tjera.
Pra, siç shihet ndalesat janë më të mëdha që vijnë nga sfera morale e shpirtërore, ndërsa ato materiale janë më të pakta.
Sipas rregullave të Islamit, parimisht uji lejohet, buka lejohet, seksi lejohet! Atëherë, pse ndalohemi ne prej tyre në Ramazan!?
Në fakt, myslimanët nuk ndalohen tërësisht nga këto gjëra në Ramazan. Ata ndalohen vetëm gjatë ditës nga ushqimi, pija dhe marrëdhënia intime. Në të vërtetë agjërimi i Ramazanit i ndalon besimtarët nga ushqimi hallall, pija hallall, dhe seksi hallall, gjatë ditës dhe ju lejon këto gjatë natës.
Dhe cili është mesazhi i gjithë këtyre ndalesave në Ramazan, e që parimisht janë të lejuara jashtë tij. Përderisa besimtari është i përkushtuar që për hir të Zotit të tij të ndalohet për një muaj nga gjërat e lejuara (hallall) që janë ripërtëritëse të jetës, si të mos stopohet nga gjërat e ndaluara (haram) gjatë 11 muajve të tjerë, e që nuk janë të domosdoshme për jetën, dhe që në fakt ia vështirësojnë atë.
Pra karvani 30 ditësh i Ramazanit, nuk vie për t’ua marrë besimtarëve mirësitë (materiale) e pakta  të kësaj bote, por për t’i privuar ata nga ligësitë (morale-shpirtërore) e shumta të saj.

A.Breznia

Exit mobile version