MPJ e Rusisë: U injoruan argumentet tona kundër pranimit të Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit

Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit (PCA) në Hagë ka lejuar Kosovën që të anëtarësohet duke injoruar argumentet e atyre vendeve që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.

Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

Më 13 qershor, në seancën e 195-të të Këshillit Administrativ të PCA-së, përkrahësit e pavarësisë së Kosovës mundësuan anëtarësimin në këtë organizëm, duke shfrytëzuar përparësinë e tyre numerike, thotë MPJ-a ruse.

“Duket se rezultati i votimit për këtë çështje ka qenë i paracaktuar qysh para fillimit të seancës dhe se i gjithë procesi ka qenë një përpjekje e mirë-orkestruar”, ka thënë Zakharova, raporton B92.

“Lidershipi i Këshillit Administrativ reagoi vetëm ndaj atyre deklaratave që i drejtoheshin pranimit të Prishtinës në PCA, dhe injoronin argumentet e atyre që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës (përfshi Serbinë, Argjentinën, Brazilin, Indinë, Spanjën dhe Nikaraguan, që janë vetëm disa prej tyre). Ata neglizhuan Nenin 94 të Konventës së vitit 1907 të Hagës për Zgjidhje Paqësore të Mosmarrëveshjeve Ndërkombëtare, i cili qartë kërkon që shtetet pjesëmarrëse të arrijnë konsensus për anëtarësim. Rrjedhimisht, kriteret e përgjithshme për pranim në PCA nuk janë diskutuar fare”, ka deklaruar Zakharova, transmeton Koha.net.

Ajo tha se shtetet që nuk e njohin Kosovën kanë potencuar se rezultati i votimit nuk e ndryshon qëndrimin e tyre për njohjen e ‘shtetësisë’ së Kosovës.

“Ne konsiderojmë që Kosova është pjesë e Serbisë, në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Vështirë se Kosova do të mund të sjellë kontribut të plotë për sa i përket bashkëpunimit me PCA-në. Është e qartë se Kosova, duke u anëtarësuar në PCA, synon që të anëtarësohet edhe në agjenci tjera ndërkombëtare. Veprime të tilla, jo vetëm se janë ilegale, por edhe injorojnë qëndrimin e Beogradit, të cilin Perëndimi e quan partner, sidomos në çështjet si dialogu me Prishtinën”, ka theksuar zëdhënësja e MPJ-së ruse.

Më 13 qershor, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, bëri me dije se Kosova është pranuar në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit, duke u bërë kështu anëtarja e 121-ë e këtij organi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button