Site icon PORTALB

“Lufta e brendshme në Siri ka lënë 600 mijë fëmijë jetimë”

Fëmijët sirian

Sipas një kërkimi të realizuar nga Fondacioni i Ndihmave Humanitare të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) theksohet se lufta e brendshme në Siri ka lënë 600 mijë fëmijë pa baba, raporton Anadolu Agency (AA).

Në luftën që vazhdon prej 5 vitesh kanë humbur jetën qindra mijëra persona, ndërsa miliona të tjerë duke braktisur vendin e tyre u strehuan në vendet fqinje kryesisht në Turqi. Më të prekurit e kësaj lufte janë fëmijët dhe gratë, ku fëmijët që kanë humbur baballarët e tyre në luftë vazhdojnë jetën në jetimoret në Turqi dhe Siri.

Fondacioni IHH nuk i ka lënë të vetëm këto fëmijë që prej ditës së parë të fillimit të luftës duke përgatitur një sërë projektesh në qytetet kufitare si Kilis, Hatay, Şanlıurfa për fëmijët që kanë humbur baballarët në luftë.

Duke mbështetur dhe duke përballuar shpenzimet e qirave ku qëndrojnë fëmijët jetimë në qytetin Kilis, vullnetarët e IHH gjithashtu kujdesen për t’iu dhënë lumturi fëmijëve që kanë humbur baballarët e tyre.

Përgjegjësi i Njësisë për Jetimët të IHH, Adem Kalaycı, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se si fondacion janë në përpjekje për të ofruar çdo ndihmë për të prekurit e luftës kryesisht për fëmijët dhe gratë e veja. Kalaycı ka theksuar më tej se si fondacion sponsorizojnë për 7 mijë jetimë në Siri dhe në Turqi ku dhe në kuadër të kësaj japin si mbështetje për çdo jetim nga 100 lira turke (afërsisht 32 euro).

– “1.000 fëmijë janë trajtuar në qendrën e terapisë”

Duke vënë në dukje se në rajonin Reyhanlı të qytetit Hatay të Turqisë kanë formuar qendër të terapisë dhe atelie të artit Kalaycı, u shpreh: “Këtu fillimisht ofrojmë shërbim për gratë e veja dhe fëmijët që janë prekur nga traumat e luftës. Në kryejmë shumë aktiviteteve me to dhe psikologët dhe mjekët tanë interesohen nga afër për fëmijët. Njëmijë fëmijë janë trajtuar në këtë mënyrë. Në këtë qendër janë trajtuar fëmijë që kanë qenë të parët e shkollës dhe që kishin harruar lexim dhe shkrim. Është një qendër e pashembullt në Turqi. Krahas kësaj çdo muaj përballojnë shpenzimet e qirave të familjeve të 200 jetimëve. Sipas kërkimeve tona që kemi bërë në Siri ka 600 mijë jetimë. Gjithashtu jemi në dijeni se 40 apo 50 mijë jetimë ndodhen në Turqi. Këto janë më të përqendruar në zonat kufitare ku në qytetin Hatay ka afërsisht 8 mijë jetimë. Ne gjithashtu kemi ngritur 11 kampe edhe në rajonet Azez dhe Babuselam ku në këto kampe kemi seksione të veçanta kushtuar jetimëve dhe në këto seksione qëndrojnë 5.225 fëmijë jetimë”.

Kalaycı ka shtuar gjithashtu se në jetimore të formuara në rajonet nën rrethim në Guta të Damaskut qëndrojnë edhe 250 fëmijë.

– “20 fëmijë jetimë janë marrë nga burgjet”

Pasi ka vënë në dukje se shumë fëmijë që qëndrojnë në jetimoren e hapur në Damask janë mbledhur nga burgjet Kalaycı u shpreh: “Baballarët bien martirë sepse rajonet janë nën rrethime. Ndërsa nënat nuk mund t’ia dalin mbanë të vetme. Një nënë në mënyrë që fëmijët të jetojnë duhet të dalë nga rajonet nën rrethim të marrë diçka në treg dhe të kthehet. Dhe për këtë nënat pasi mbyllin fëmijët në shtëpi largohen në anën tjetër, ku dhe në të shumtën e rasteve bien rob. Për këtë arsye shumë gra nuk mund të kthehen në shtëpi. Ka me qindra fëmijë që babi apo nëna iu është vrarë në këtë mënyrë. Ndërsa të afërmit e këtyre fëmijëve për arsye se nuk mund të kujdesen për këto fëmijë dhe në mënyrë që ato të mos vdesin nga uria detyrohen ti braktisin në burgun e Asadit, me shpresën se të paktën aty i jepet një vakt ushqim në ditë. Ne që kur kemi hapur jetimoret kemi marrë 20 fëmijë nga burgjet.”

Kalaycı ka theksuar se jetimorja Safa në rajonin Reyhanlı të qytetit Hatay është jetimorja më e rëndësishme e hapur në Turqi. Ai ka shtuar më tej se pothuajse të gjithë fëmijët që qëndrojnë në këtë jetimore janë fëmijë që kanë pësuar trauma dhe shqetësime psikologjike nga mungesa e nënës dhe babait.

Më tej Kalayci ka shpjeguar se për të lehtësuar sadopak dhimbjet e luftës ata vazhdojnë pa ndërprerje aktivitetet dhe se kujdesen për 20 mijë fëmijë, ku dhe deri tani kanë dhënë mbështetje për 150 mijë të tjerë në fushat e arsimit, sociale, shëndetësore si dhe ndihma monetare dhe mbështetje psikologjike.

Ndërsa përgjegjësi për jetimët në Kilis i Fondacionit IHH, Ahmet Kenan, ka vënë në dukje se ofrojnë mbështetje për 35 familje në 7 shtëpi në qytetin Kilis. “Ndaj këtyre shtëpive të jetimëve ofrojmë ndihmë si sponsor, ku gjithashtu vijmë këtu sjellim lodra dhe luajmë me ta. Edhe në Ditën e Baballarëve ne ndoshta nuk mund të bëhemi baba për ta, por nuk dëshirojmë që ti lëmë të vetëm”, u shpreh Kenan.

Exit mobile version