Nga një sulm me bombë në stacionin hekurudhor në qytetin Volgograd në Rusi, janë vrarë së paku 18 vetë dhe janë plagosur shumë të tjerë.
Komiteti Kombëtar Antiterror i Rusisë ka njoftuar sot se shpërthimi ishte bërë nga një sulmues vetëvrasës.
Zyrtarë rajonalë thanë se një femër e ka aktivizuar eksplozivin, që e kishte me vete, afër kontrollit me detektorë në hyrje të stacionit kryesor hekurudhor në Volgograd, që ishte i mbushur me udhëtarë të pasditës.
Ky sulm i ka shtuar shqetësimet nga terrorizmi para Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi, në shkurt të vitit të ardhshëm.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Më herët këtë vit, komandanti kryengritës çeçen, Doku Umarov, pat bërë thirrje për sulme kundër lojërave në Soçi.