Site icon PORTALB

Maqedonia me sistem mobil për regjistrim me kamera në komunikacionin rrugor

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Mitko Çavkov bashkë me amabasadorin amerikan në vend, Jess Baily, promovuan projektin për zbatimin e sistemit mobil për regjistrim me kamera, i projektuar për njësi mobile për siguri në komunikacionin rrugor, raporton Anadolu Agency (AA).

Qëllimi i projektit është që përmes regjistrimit me kamera të dokumentohen procedurat në lidhje me ndërmarrjen e veprimeve zyrtare dhe sigurimin e ligjshmërisë së procedurave, si dhe për të përmirësuar veprimet policore dhe kontrollin e shërbimeve policore.

Ministri Çavkov bëri të ditur se realizimi i trajnimit tashmë ka filluar dhe pritet të përfundojë deri në fund të këtij muaji. “Jam i bindur se ky partneritet me të cilën policia në mënyrë moderne do të kryjë punën përmes përgjegjësisë dhe transparencës, bashkë me qytetarët do të kontribuojë në mbështetje të plotë dhe besim ndaj publikut”, u shpreh Çavkov.

Nga ana tjetër, ambasadori amerikan Jess Baily, duke theksuar se sipas anketave qytetarët e Maqedonisë mendojnë se korrupsioni është i përhapur nëpër institucionet qeveritare, përfshirë policinë dhe gjyqësorin, shtoi se në çdo vend demokratik çdo nëpunësi shtetëror i nevojitet besimi i qytetarëve në mënyrë që të jenë më efektiv.

“Fatkeqësiht asnjë pjesë e qeverisë nuk është imun ndaj korrupsionit, nuk është as këtu, por nuk është as në vendin tim. Ajo që ka rëndësi është që nëpunësit shtetëror të ballafaqohen me atë dhe të mos lejojnë mosndëshkimin e tiranisë”, tha Baily, sipas të cilët regjistrimi me kamera do të rrit përgjegjësitë e policëve, të cilët do të tregojnë më tepër kujdes në punën e tyre.

Në donacionin në vlerë prej 65 mijë dollarëve, i cili financohet nga ana e SHBA-së, përfshihen kamerat, mbështetja për sistemin, si dhe trajnime nga policë ekspert në terren dhe ekspert në teknologjinë informative.

Exit mobile version