Site icon PORTALB

Qeveria e lavdëron ministrin e ri, opozita ka disa kërkesa

Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Dorëheqja e ish zv/kryeministrit dhe ministrit për Financa Zoran Stavrevski sot në Kuvendin e Maqedonisë ka ngjallur debat mes pozitës dhe opozitës, raporton Portalb.

Kryeministri aktual Emil Dimitriev duke thurrur lavde për Stavreskin foli edhe për propozimin e ministrit të ri Kiril Minovski.

“Stavreski në vepër tregoi si duhet Maqedonia. Bëhet fjalë për një personalitet të palodhshëm dhe të përkushtuar. Me angazhimin e tij dha shumë për Maqedoninë. Ndërkaq, Minovski me kapacitetin e tij dhe përvojën në fushën e financave mund të jep shumë në funksionin e ministrit të Financave”, tha kryeministri Dimitriev.

Ndërkaq, Marijanço Nikollov ka kujtuar kryeministrin se me tërheqjen e Straveskit qeveria po e humb shtyllën dhe përkrahësin e qeverisë.

“I dëshiroj shëndet ish ministrit. Kam disa kërkesa deri te ju si qeveri dhe ministri i ri: Të harxhoni më pak në çokollata e më shumë në bukë; paratë që i mblidhni t’ua ktheni qytetarëve e jo t’i harxhoni në gjëra jo produktive; të rritni transparencën e harxhimit të parave qytetarëve. Qytetarët nuk e dinë se si harxhohen paratë e tyre…”, potencoi në mes tjerash Nikollov.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së porositi opozitën që të pranojnë se gjatë kohës së Stavreskit është rritur bruto prodhimi i vendit, është bë ulja e tatimeve, tarifave doganore, si dhe miratimi i subvencioneve bujqësore.

Deputeti Orhan Ibrahimi, duke i replikuar deputetit Nikollov nga foltorja e parlamentit ka akuzuar qeverinë se me paratë e qytetarëve ka bërë projekte monoetnike dhe gjithë kjo është bërë me përkrahjen e BDI-së, partisë shqiptare në pushtet.

“Paratë u harxhuan në projekte monoetnike. Gjysëm miliard euro në Shtip. Nga Kumanova e deri në Strugë nuk është harxhuar asgjë. Zona të lira ekonomike gjithandej në pjesët me shumicë maqedonase. Gjithë kjo ka ndodhur me leje të BDI-së. BDI sot prap do të votojë një ministër që do të bëjë të njëjtën”, tha deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi.

Për deputetin Rafis Aliti nga BDI, nuk mbajnë akuzat e PDSH-së, sepse, sipas tij, ka pasur edhe shumë projekte në pjesët e banuara me shqiptarë.

“Investimet kapitale janë për të gjithë qytetarët. Spitalet dhe shkollat u takojnë të gjithëve. Maqedonia është vend multietnik dhe nuk mund të ketë projekte monoetnike”, theksoi Aliti./Portalb

Exit mobile version