Site icon PORTALB

Erdogan, lider i jashtëzakonshëm dhe sajdisja e zakonshme e “provave” për luftën kundër korrupsionit!

Edmond Vlashaj

Edmond Vlashaj

Pasi panë të krijohej në Turqi, një Lider i cili i kalonte përmasat e të zakonshmes dhe nuk mund të krahasohej me ndonjë Lider tjetër në këto dekadat e fundit në Turqi por edhe më gjerë, kundërshtarët e Erdogan, vendosën ta godasin për ta rrëzuar me çdo kusht dhe me çdo lloj mënyre. 

Këtë vit e provuan pabesisht me protestat në parkun ‘Gezi’, në Taksim të Stambollit. Pabesisht them, sepse këto ishin gjasme protesta ambientaliste por të devijuara që në lindjen e tyre në protesta shkatërrimtare dhe degraduese edhe për misionin e tyre fillestar.

Pasi nuk ia arritën me protestat e Parkut ‘Gezi’, kundërshtarët e Erdogan, arritën të kuptonin se ky Lider nuk mund të rrëzohej as me protesta sharlatanësh pseudo-ambjentalistë por komplet huliganë dhe vandaliste. Arritën të kuptonin se Kalaja e Erdogan nuk mund të rrëzohej as me “rrethim”, e as me sulm frontal në zgjedhje, të cilat përherë i fiton mbi 50%. Atëhere kundërshtarët ndryshuan strategji, dhe vendosën që kësaj kalaje përditë e nga pak, t’i heqin nga një gur themeli. Përditë e më shumë, vendosën t’i heqin boshtin ku qoshet e mureve të kësaj kalaje kishin bërë vendin e tyre tashmë. Vendosën ta denigronin dhe ta sfilitnin Erdogan, në pikën e tij më të fortë. Në ndershmërinë dhe në drejtësinë e të shërbyerit pa korrupsion, në dobi të popullit dhe të shtetit të vet.

Në Dhjetor 2013, ndërkohë që u bënë arrestimet e para të një numri personash të afërt me Qeverinë e Erdogan, unë isha në Turqi dhe po përjetoja disa përshtypje. Sekuencat filmike “të miliona eurove të fshehura në kutitë e këpucëve”, të zonjës së Menaxherit të HalkBank, më kujtonin skenat tipike të policisë në Shqipërine komuniste, e cila pak kohë më përpara të vendoste një sasi armësh në tavanin apo bodrumin e shtëpisë tënde dhe më pas vinte bashkë me kamerat dhe të “gjente provën e krimit” me të cilën ti ishe paracaktuar të dënoheshe deri edhe me ekzekutim.

Duke pasur këtë lloj eksperience unë si njeri i thjeshtë dhe duke supozuar se kjo familje paska qenë totalisht e korruptuar, mund të bëj këtë pyetje: Si ka mundësi që një Familje e Korruptuar, pra që është e zhytur në këtë zullum më vlerë miliona euro, të mos ketë ditur të mbrojë paratë me miliona, si dhe të mbrojë veten e vet, duke qenë se kemi të bëjmë me një familje që i njeh mirë ligjet për paratë cash në shtëpi, sidomos ato të paregjistruara? A thua nuk do ta kishte pasur më të lehtë t’i vendoste dikund tjetër këto para, tashmë duke prodhuar edhe shumëfishimin e tyre, siç shumica e të korruptuarve bëjnë, duke i investuar ato para në parajsa fiskale, në shumë vende anëmbanë botës, pa pasur nevojë të futeshin dhe të mykeshin në kuti këpucësh “Armani”? Shumë pyetje të tjera dëgjova në Stamboll gjatë këtyre ditëve nga njerëz të lloj lloj niveli, shoferë taksish, punonjës të thjeshtë hotelesh, manaxherë biznesesh, si dhe profesorë e studentë. Por një gjë nuk arrita ta kuptoj dhe ta kapërdij! Përse kjo frymë kundër Amerikës? Ushqyerja e kësaj fryme anti-amerikane nuk është e dobishme as për popullin Turk, as për Qeverinë Turke, as për Liderin e Jashtëzakonshëm dhe njeriun e Drejtë, Recep Tayyip Erdogan! 

Edmond Vlashaj, PLSHR.

Exit mobile version