Site icon PORTALB

Transmetimi i opinioneve si lajm është mashtrim i publikut

Teksti në Tetova sot që transmeton opinion të botuar në "Dnevnik" për Zoran Zaevin, liderin e LSDM-së

[Recension: Zaev audio incizimet për skandalet seksuale në ambasadën bullgare ia ka dhënë Borisov-it]

Gazetari profesional duhet të zgjedhë me vëmendje burimet e lajmit. Lajmi transmetohet prej medieve tjera, vetëm nëse i përmbush kriteret bazë të gazetarisë profesionale. Në të kundërtën, nuk duhet të ritransmetohen spekulimet dhe informacionet e pakonfirmuara, së paku jo pa bërë tentim shtesë të autorit apo redaksisë që të vërtetojë ato.

Linku deri te artikulli origjinal: Zaev audio incizimet për skandalet seksuale në ambasadën bullgare ia ka dhënë Borisov-it

Data dhe koha e publikimit: 05.06.2016

Data e recensionit: 10.06.2016

Recensues: Benjamin Arifi

Përmes këtij teksti, plasohen informacione serioze që prekin jo vetëm opozitën në vend, por edhe diplomatë të huaj, ambasadorë e kryeministër të shteteve fqinje. Të gjitha këto akuza nuk bazohen në asnjë fakt, argument ose indikacion. Madje, pretendohet se po transmetohet lajm i të përditshmes në gjuhën maqedonase “Dnevnik”, mirëpo teksti i përkthyer dhe i ritransmetuar nuk është lajm, por kolumnë e autores Mirka Velinovska.

Në përkthimin shqip të këtij teksti, askund nuk përmendet se është përkthyer qëndrim personal i një autori, por trajtohet si artikull gazetaresk. Në gazetari duhet të bëhet ndarje e qartë mes lajmit dhe komentit, duke i mundësuar lexuesit të vlerësojë vetë faktet dhe të krijojë opinion të pandikuar.

Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komenteve, thuhet në nenin 13 të Kodit Etik të Gazetarëve.

Kjo ndarje mungon dukshëm në tekstin që po recensojmë. Së bashku me titullin tendencioz të pambështetur me fakte dhe burime relevante, si dhe atribuimin e paqartë, kjo përmbajtje padyshim se del jashtë standardeve profesionale të gazetarisë.

 


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Exit mobile version