Site icon PORTALB

Vjen fundi i Erdoganit?

Vjen fundi i Erdoganit?

Vjen fundi i Erdoganit?

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayip Erdogan deklaroi se nuk do të tërhiqet pavarësisht akuzave për korrupsion që detyruan tre ministra të japin dorëheqje më herët gjatë javës. 

Në një tubim jashtë aeroportit kryesor të Stambollit, ditën e premte, Erdogani bëri thirrje për të luftuar ndaj asaj që shihet si sfida më e madhe për qeverinë e tij në 11 vjet detyrë.

Ai e cilësoi hetimin për korrupsion si një “fushatë të pistë” dhe u bëri thirrje mijëra mbështetësve që të votojnë partinë e tij në zgjedhjet lokale të muajit të ardhshëm. “Ata që e quajnë hetim për korrupsion janë të korruptuar vetë”, tha kryeministri turk.

Gjatë së premtes policia qëlloi me gaz lotsjellës dhe plumba gome protestuesit në sheshin Taksim të Stambollit, raportojnë mediat ndërkombëtare, transmeton TCH.

Protesta u zhvilluan edhe në kryeqytetin Ankara dhe në Izmir, me manifestuesit që brohorisnin “kapeni hajdutin” dhe që i bënin thirrje Erdoganit të tërhiqej nga pushteti.

Fëmijët e tre ministrave, atij të Brendshëm, atij të Ekonomisë dhe atij të Mjedisit ishin mes shumë personave të arrestuar më herët gjatë muajit për korrupsion.

Ndërkohë, ushtria deklaroi një ditë më parë se nuk ka ndërmend të përfshihet në argumente politike, duke iu përgjigjur kështu zërave për një komplot të organizuar prej saj.

Policia turke po heton mbi një transferim të dyshimtë parash për në Iran dhe për mitmarrje për projektet e ndërtimit, skandal ky që ka shkaktuar rënien e valutës turke lira kundrejt dollarit amerikan./TCH

Exit mobile version