Site icon PORTALB

HALA MADRID: REALITETI I NJË ILUZIONI

Ali Pajaziti

Ali Pajaziti

Një segment i rëndësishëm i jetës, i vetërealizimit të njeriut është edhe udhëtimi, gjegjësisht vizita e vendeve të ndryshme të botës, e qyteteve historike, e gjeografive tej vendlindjes. Nga 6 deri më 9 qershor ishim në Madrid, pjesë e karvanit të një konference shkencore ndërkombëtare, i Kongresit të gjashtë për pranim dhe refuzim (ISIPAR), në Fakultetin e Psikologjisë të Universitetit Kombëtar të Arsimit nga Distanca (UNED), ku u shpalosën rezultate nga hulumtime empirike të realizuara në vende të ndryshme të Europës, Azisë dhe në ShBA. Dhe përshtypje të veçanta nga një vendbanim metropolitan. Frymë sa oksidentale, aq edhe orientale. Emri i kryeqytetit spanjoll sipas shumë autoriteteve rrjedh nga fjalët arabe Mexhrit ose Majra (kanat, kanal) të cilit i është shtuar sufiksi ibero-roman “it”, pikë e shumësisë së kanaleve të nëndheshme të ujit. E kaluara dhe moderniteti në të njëjtin vend. Alcala dhe Quatro Torres zona e biznesit.

Përshtypja e parë: njerëz që për çudi nuk flasin anglisht, ose shumë rrallë komunikojnë në gjuhë e globalizimit. Një taksist që na shpuri deri te hoteli me shumë peripeci e bisedë të huajsh, në disa gjuhë nga ca fjalë. Njerëz që nuk duken dhe gjithaq me kulturë të nxehtë latino, goxha të modernizuar. Përshtypje e jashtëzakonshme e vizitës së këndeve historike si Plaza de España, Plaza Major, Restuarant Bodin, Plaza de Oriente, Teatro Real, katedralen Almudena, rrugën e Emir Muhamedit, Parkun e Trëndafilave, ku çdo lloj trëndafili kishte shënimin e prejardhjes dhe vitit të mbjelljes (p.sh. Rosaleda de Madrid, Mallerin, Francia, año 1938), element ky që këtë qytet në vitin 2006 e bëri të fitojë Award of Garden Exellence. Rrugët përplot njerëz, sheshet me figura historike, por jo të ngarkuara si ky yni në Shkup. Mure e shtylla autentike, vepra të vjetra qindravjeçare. Dhe ciceroni Sebas(tian). Një spanjoll me prejardhje kolumbiase i cili na rrëfeu dhe na tregoi gjithë at’ histori dhe të gjitha ato simbole të Madridit brenda dy orësh. Nga realiteti i dikurshëm mesjetar i këtij qyteti si simbol i varfërisë karshi Toledos së dikurshme, te hapësirat e ekzekutimit në periudhën e Mesjetës, të garave të demëve, te lagjja e bukëpjekësve dhe kasapëve, te restoranti i parë në botë, te shtëpia e qytetit, e kurorëzimit, te lagjja e moriskosëve (arabëve), të zhdukur deri në të fundit, gjatë periudhës së rekonkuistës (rikristianizimit). Sebas shënon një detaj të së kaluarës së dhimbshme të Madridit, kur rimarrja e këtij qyteti nga katolikët, 1083, Alfonsi VI (ka prurë kthimin e dhunshëm në kristianizëm që duhej vërtetuar me kryq, lutje në kishë, dhe me ruajtje të derrave nëpër shtëpitë nga ana e ish-muslimanëve). Barrio de la Morería, the plaza del Alamillo, Alkazar…  me çka e njihni Spanjën pyet? Me flamenko, apo jo? E ky nuk është produkt spanjoll, është i romëve të vendit, të cilët kanë bërë muzikë për të mbijetuar, ngjashëm sikurse zezakët në Amerikë dhe shënon gjendjen e palakmueshme të këtij komuniteti edhe sot e këtë ditë. Dhe Pallati mbretëror (Palacio Real de Madrid), në stilin barok dhe klasik, që daton nga viti 1738 (mbreti Filipi V), me 3418 dhoma, pallati më i madh europian.

Sintagma e parë e këtij titulli përbën një thënie, që me gjasë që do të thotë “Përpara Madrid”. E njëjta ndërlidhet me sportin, me Realin e Madridit, me pasionin e futbollit, me tifozerinë e flaktë të këtij klubi mbretëror. Ngado që të bredhje vëreje frymën e dominimit të kulturës së “gjësë më të rëndësishme anësore në botë”, futbollit. 11. Numri i titujve kampion Europe i klubit madrilen. Ronaldo dhe shokët. Fama, paraja dhe festa. Konkurrenca. Barcelona si sfidë.

Dhe veprimi shoqërues i çdo udhëtimi tim. Libri me vete. Këtë radhë një filozofe sllovene, Alenka Zupançiq dhe vepra e saj, Realiteti i një iluzioni (Realno iluzije, Jesenski i Turk, 2001), doktoratë e dytë e autores, mbrojtur tek Alain Badiou. Një tekst tepër rëndë për të bashkëjetuar deri në fund, por kultura leximore e autorit të këtyre rreshtave është “deri në fund të çdo libri të marrë në dorë, e pëlqen s’e pëlqen.” Shkolla filozofike e Lubjanës, Zhizhek, Dollar Zupançiq është e mirënjohur gjithandej. “Fatkeqësia është rrjedhim i ndonjë gabimi moral. Nëse doni të jeni të moralshëm, jini të lumtur!”- thotë autorja. Etika është pika e debatit në këtë tekst, e mira dhe e keqja, çështja e përcaktimit të së mirës nga Zoti, natyra apo konsensusi jonë (f. 10). Nuk ka iluzion realizimi i së cilit do të ishte më i rrezikshëm se sa refuzimi i realitetit të një iluzioni. Zupançiq jep këtë sugjerim për shpëtim: kthimi te Kanti, te ligji moral dhe imperativi kategorik, te urdhri “Sillu në atë mënyrë që maksima e vullnetit tënd të vlejë si parim të ligjvënies së përgjithshme!”, te revolucioni në qëllime (Gesinnung), parimi “më-tepër-se kënaqësia”, uni i vërtetë, te vetja më e vërtetë (most truly ours), te qenia etike, te rilindja (Wiedergeburt). Sipas saj, është patologjia e subjektit, interesat,  animet dhe mirëqenia, që njeriun e pengon nga veprimi strikt etik. Pavdekësia e shpirtit dhe eternaliteti i Zotit janë postulatet për të realizuar të mirën supreme. Jeta është e shkurtër për të arritur plotëninë, andaj duhet paraparë mundësinë e procesit të përmirësimit permanent. Çdo qenie ka vetëdije, është nën mbikqyrje, kërcënohet (…) nga një gjykatës i brendshëm. Njeriu ka nevojë për të tjerët, “vetëm qenia sipërore, Zoti, është e vetëmjaftueshme” (Kant). Asnjëherë mos përdorni proton pseudos (rrenën burimore), “S’kishte zgjidhje tjetër”, përmes të cilës e arsyetoni veten. Mos harrojmë se subjekti si fenomen nuk është i lirë, liria i takon vetëm në spektrin e noumenit. T’i ruhemi vetëverbërimit (self-deception). Ishin këto disa në shënimet nga ky tekst i shkëlqyeshëm. Keni liri të zgjedhjes së lirë (Wilkür) të librave. Zgjidhni më të mirët. Kini motiv (Trieb), jini subjekt mendues (Einheit) dhe besoni në realitetin e iluzionit për mbizotërimit e të mirës sipërore.

Exit mobile version