KM Liria, 36 vite histori dhe krenari kombëtare
Mbrëmë në Teatrin kombëtar në Shkup, Klubi i Mundjes Liria nga Shkupi, ka shënuar 36-vjetorin e themelimit, duke shpalosur para të pranishmëve fillimisht punën e filluar nga 6 qershori i vitit 1977, me një video dokumentar prej 25 minutash.
Në këtë manifestim sportiv pjesëmarrës ishin numër i madh i atyre që filluan punën me këtë klub, atyre që ndihmuan dhe anëtarëve e mundësve të rinj, të cilët po bartin tani barrën e sportit i cili bëri krenar mbarë kombin shqiptar. Në mesin e atyre që ishin që nga ditët e para të themelimit në sallën teatrit ishin edhe trajneri i sportit të mundjes, Mentaz Allajbegu, Hajrush Sinani, Abdulla Memeti, mysafirë nga Kukësi i Shqipërisë dhe Prizreni i Kosovës si dhe të pranishëm të tjerë.
Nderin për ta hapur mbrëmjen nikoqirët i kishin dhënë hoxhës së qytetit të Shkupit, Bekir Halimi. Në këtë mbrëmje shumë të veçantë, kryesia e KM Liria ka ndarë mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar për klubin, ndërsa janë ndarë edhe tre mirënjohje speciale për Mentaz Allajbegu, Hajrush Sinani dhe të ndjerin Alush Hamidi.
Me mirënjohje janë nderuar edhe legjendat e mundjes Shaban Tërstena, Shaban Sejdiu, Bajram Çorolli e tjerë, të cilët munguan në këtë mbrëmje.
Kryetari i KM Liria, Betim Vrenezi ka falënderuar kryetarin e komunës së Çairit, Izet Mexhiti për kontributin e tij që po i jep klubit të mundjes Liria. Gjithashtu duke falënderuar edhe mundësit e rinj Elmedin Sejfullahi dhe Jasin Rexhallari, të cilët me medaljet e fituara në evropianin e mundjes për kadet në Bari të Malit të Zi, respektivisht nga Lojërat Mesdhetare në Mersin të Turqisë i kthyen krenarinë mundjes.
Gjithashtu u shpërblyen edhe trajnerët Lulzim Vrenezi, Sedat Baftiu, Sufijan Ismaili dhe koordinatori i klubit Amet Ademi. Për të pranishmit drejtuesit e klubit kishin përgatitur një koktej rasti.