Site icon PORTALB

Përdor “pëllumbin korrier” për të komunikuar me bashkëshorten ​

Përdor "pëllumbin korrier"

Süleyman Okaymirza i cili ka pasur një interes të veçantë ndaj pëllumbave që nga fëmijëria e tij, veçanërisht kur ndodhet në vende ku nuk ka valë telefonike, përdor pëllumbin e tij si korrier për të komunikuar me bashkëshorten, raporton Anadolu Agency (AA).

Okaymirza jeton në Yatağan të qytetit të Muğla-s në Turqi dhe është në moshën 36 vjeç. Ai punon në një central energjitik. Okaymirza përdor pëllumbin ende në ditët e sotme si dikur, kur ai përdorej si korrier letrash.

Në një deklaratë për gazetarin e AA, Okaymirza thotë se meraku dhe interesi për pëllumbat ka filluar që në moshën 12 vjeç, gjatë një vizite në shtëpinë e një shoku të tij. Ai tregon se e ka filluar këtë punë me dy pëllumba që i kërkoi vëllait të shokut të tij dhe shton se kjo dëshirë për ta ka ardhur gjithmonë në rritje.

– Mund të dërgojë mesazh 200 kilometra larg-

Pëllumbat korrier mund të jetojnë deri në 20 vite, shpjegon Okaymirza dhe më pas shton se këto pëllumba arrijnë të njohin pronarët e tyre që nga dhënia e ushqimit deri tek hyrja e tyre në fole.

Duke treguar mbi periudhën e mësimit të pëllumbave mbi dërgimin e mesazheve, Okaymirza shprehet se fillimisht ata mësohen të fluturojnë në distanca të gjata dhe më pas kjo distancë rritet gradualisht. “Pëllumbat korrierë që kam në dorë vijnë nga 200 kilometra largësi, nga Izmiri”, tregon ai.

Kohën e lirë e kaloj duke peshkuar dhe shpesh herë në vendet ku shkoj nuk ka valë telefonike thotë Okaymirza dhe shton: “Për këtë arsye kur vij për peshkim marr gjithmonë pëllumb korrier me vete. Lidh një shënim në këmbën e tij dhe ia dërgoj atë bashkëshortes.”

– “Fillimisht u habita shumë”-

Bashkëshortja e Süleyman Okaymirza-it, 32 vjeçarja Hülya Okaymirza shprehet se që nga koha që ajo e njeh bashkëshortin e ka parë të merret me pëllumbat.

“Shqetësohem shumë për bashkëshortin, kur ai ndodhet në vende ku nuk ka valë telefoni i tij. Ai më tha që mund të përdorim pëllumbin në këto raste. Fillimisht u habita shumë. Por më vonë pashë që kjo ishte e mundur. Kur bashkëshorti nuk është në shtëpi dhe mbi kotecin e pëllumbave ndodhet një pëllumb që pret, atëherë e di që bashkëshorti më ka dërguar ndonjë mesazh. Atëherë i shkoj afër, marr mesazhin e lidhur tek këmba e tij dhe e lexoj”, tregon Hülya Okaymirza.

Exit mobile version