Site icon PORTALB

Tre të vdekur në një sulm terrorist me armë në Tel Aviv

Tel Aviv

Dy persona të armatosur hapën zjarr të mërkurën mbrëma mbi blerësit dhe darkuesit në një qendër tregtare afër ministrisë izraelite të Mbrojtjes në Tel Aviv, duke vrarë tre veta dhe duke plagosur të paktën gjashtë të tjerë, raporton Zëri i Amerikës.

Policia izraelite e cilësoi incidentin si sulm terrorist. Ata thanë se situata ishte nën kontroll ndërsa kontrolluan zonën për të parë nëse ka ndonjë bombë të vendosur.

Zëdhënësi i policisë, Mickey Rosenfeld, tha se dy të armatosurit janë arrestuar, njëri prej tyre pasi që është qëlluar dhe plagosur. Ai tha se sulmuesit kishin përdorur armë automatike.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, që sapo është kthyer në Izrael nga një vizitë në Moskë, planifikon një takim emergjent me strukturat e sigurisë, përfshirë edhe ministrin e ri të Mbrojtjes.

Sulmi i së mërkurës u krye në qendrën tregtare Sarona, në qendër të Tel Avivit, një zonë shumë e frekuentuar.

Rosenfeld tha se nuk ka pasur sulme mbi civilët izraelit apo mbi policinë në Tel Aviv për disa muaj dhe nuk ka pasur ndonjë të dhënë nga shërbimet e zbulimit se mund të ketë ndonjë planifikim për sulme terroriste.

Ai tha se policia do të përpiqet që të përcaktojë se prej nga kishin ardhur personat e armatosur dhe si kishin depërtuar në zonë. Të paktën njëri prej tyre thuhet se ishte maskuar si një hebre ultra-ortodoks.

Exit mobile version