Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës së tij zyrtare në Britaninë e Madhe, zhvilloi sot një takim të veçantë me kryetaren e Dhomës së Lordëve të Parlamentit Britanik, Baronesha D’Souza, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takim, Kryetari i Kuvendit Veseli e njoftoi Baroneshën me të arriturat dhe zhvillimet aktuale në vend, dhe i konfirmoi prioritetet e institucioneve të Kosovës për fuqizimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik, integrimin në familjen e madhe evropiane, si dhe anëtarësimin në NATO.
Veseli, gjithashtu falenderoi D’Souza për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Britanik dhe e vlerësoi lart bashkëpunimin mes këtyre dy shteteve.
Ndërkohë në takimin e tij me Lordin George Robertson, Veseli shprehu se u bisedua çështja se si mund të ftohen investitorët nga Britania e Madhe në Kosovë.
“U dakorduam që është parësore të zhvillojmë ekonominë, të krijojmë një të ardhme të ndritshme për të rinjtë tanë në vendin tonë”, u shpreh Veseli.
Lordi Robertson duke vënë në dukje luftën e vitit 1999 theksoi se Kosova është dhe gjithmonë do të mbetet një vend i veçantë për të.
Veseli në vizitën e tij me Grupin e Miqësisë nga Parlamenti Britanik me Parlamentin e Kosovës gjithashtu u takua me ministrin për çështje evropiane, David Liddington, Baroneshën Eynly si dhe anëtarë të tjerë të dy Dhomave të Parlamentit Britanik.