Site icon PORTALB

Vazhdon debati për propozimin për impiçment të presidentit Ivanov

Komisioni për vlerësimin e përgjegjësisë politike- impiçment të kryetarit Gjorge Ivanov

­ Komisioni për vlerësimin e bazës për propozimin për impiçment të presidentit, Gjorge Ivanov për shkak të vendimit të tij për abolim, sot vazhdoi me punë, raporton MIA.

Deputeti, Ejup Rustemi i BDI­së vlerësoi se vendimi për abolim i Ivanov nuk ka qenë veprim i matur mirë, se ai nuk ka dhënë arsye se pse nuk janë tërhequr të gjitha vendimet për abolim, por vetëm për 22 persona dhe gjithashtu e përsëriti qëndrimin e partisë së tij se ata kërkojnë që të gjitha këto vendime për abolim të tërhiqen.

“Detyrë e Ivanovit është të dalë dhe të tregojë se ka gabuar”, tha Rustemi, duke potencuar se marrëveshja e Përzhinos duhet të vazhdojë të zbatohet. Sipas Goran Misovski i PRSD­-së, deri më tani aspak nuk është diskutuar për motivet e ivanovit për sjelljen e vendimit për faljen e 56 personave. Do të ishte e moralshme, tha ai, të vijë Ivanov në Komision dhe të tregojë nëse lideri i VMRO­-DPMNE­-së ia ka porositur listën.

Misovski në seancë i dha tezat e tij për atë se cilat kanë qenë motivet e Ivanovit për këtë vendim. Midis tjerash, sipas tij, një prej tyre ka qenë bllokimi i punës së Prokurorisë Publike Speciale të cilën VMRO­DPMNE nuk ka arritur ta kontrollojë. Në pyetjen nëse dhe kur do të ketë zgjedhje, që sipas Misovskit shpesh po përsëritet këtyre ditëve, tha se në Republikën e Maqedonisë kriza duhet të pastrohet në zgjedhje dhe se ato duhet të mbahen sa më parë. Pret që PSP ta vazhdojë punën e saj ndërsa Maqedonia të ketë zgjedhje korrekte dhe demokratike shumë shpejtë. Nga Ivanov, kërkon që deri në skadimin e afatit të Ligjit për falje t’i tërheq vendimet edhe për 30 personat e tjerë. Këta persona, sipas pohimeve të Misovskit, mund të jenë dëshmitarë potencial të PSP.

Kryetari i Komisionit, Zoran Ilioski i VMRO­-DPMNE-­së replikoi se Mosovski ka mbajtur fjalim politik pa u përqendruar fare në bazën për shtrimin e Propozimit për impiçment të Ivanovit. Ai gjithashtu e përsëriti qëndrimin se Ivanov nuk e ka shkelur Ligjin dhe nuk e ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Debati në Komision vazhdon akoma.

Komisioni ka afat deri të hënën të përgatisë raportin final që më pas duhet ta elaborojë në seancë plenare në Kuvend.

Exit mobile version