Site icon PORTALB

Personalja duhet respektuar, keqpërdorimi duhet dëshmuar

Teksti në Zhurnal për Rexhep Prekopucën e KSHZ-së

[Recension: “Funksionari nga Haraçina i ka kredi shtetit 10 mijë euro, ndërsa vozitë BMW X5?”]

Jeta personale e një funksionari publik paraqet interes publik vetëm në rast se bëhet fjalë për keqpërdorim të postit për përfitime personale. Në rastin në fjalë, kjo e fundit nuk është vërtetuar, madje, argumentet që prezantohen, nuk mbajnë peshë.

Linku deri te artikulli origjinal: “Funksionari nga Haraçina i ka kredi shtetit 10 mijë euro, ndërsa vozitë BMW X5?”

Data dhe koha e publikimit: 31.05.2016, 11:15

Data e recensionit: 01.06.2016

Recensues: Fatlume Dervishi

Shpenzimet e funksionarëve të caktuar që kanë lidhje me jetën e tyre private nuk duhet të jenë në fokus të mediave, përveç nëse gazetari ka dyshime për keqpërdorime të mundshme të postit të tij. Si duket, autori në këtë rast është nisur nga dyshime të caktuara, por rezultatet nuk tregojnë për një raportim profesional deri në fund.

Në fokusin e përmbajtjes është nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili sipas Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (ashtu siç thuhet në tekst) raportohet të ketë të paraqitur një shumë kursimesh prej 300 eurove, një kredi bankare prej 10 mijë eurosh dhe një makinë të tipit Mercedes me vlerë prej 4200 eurosh. Si pikënisje dyshimi në përmbajtje, është kjo:

Ndërkoh, në Agjencinë e Lajmeve Zhurnal ka arritur një email nga një qytetarë i Shkupit i cili bën të ditur se nënkryetari i KSHZ-së, Rexhep Prekopuca posedon një xhip grandioz të tipit BMW i cili kushton dhjetra mijëra euro. Mirëpo nga ana tjetër në listën anketuese Prekopuca ka paraqitur se posedon një vetur të vjetër Mercedes të vitit 2003 që kushton diku 4200 euro.

Asnjë hap më shumë nuk është bërë për të hulumtuar këto dyshime. Lajmi bëhet tamam lajm kur verifikohen akuzat e tilla. Mirëpo, në vend se të sigurojë ndonjë burim tjetër për këtë, autori vetëm ka numëruar institucionet prej të cilëve do të kërkojë llogari, por kjo është dashur të bëhej para se të publikohej informacioni .

Agjencia e Lajmeve Zhurnal do të kërkon sqarim nga Prokuroria Themelore në Shkup, Komisioni për Antikorrupcion dhe MPB se çka parasheh ligji për një funksionarë i cili nuk e deklaron saktësisht pronën personale në Komisionin shtetëror për parandalimin e korrupcionit.

Ligjet mund të gjenden lehtë edhe në formë elektronike, prandaj problemi nuk është adresuar si duhet. Askund në tekst nuk është përmendur vetë Prekopuca, si burim i mundshëm, ndërkohë që është personazhi kryesor në këtë “lajm”.

Exit mobile version