Site icon PORTALB

Hajrulla Misini për pak të krijojë incident diplomatik në Parlamentin grek

Hajrulla Misini

Hajrulla Misini

Në Parlamentin grek dje për pak është shmangur një incident diplomatik kur përfaqësuesi i Maqedonisë e quajti vendin e tij Republika e Maqedonisë dhe e kritikoi kryesimin grek me BE-në se zgjerimi nuk është në mesin e prioriteteve të tij.

Këtë sot e komentojnë pothuajse të gjitha mediat greke, duke u përqendruar në pjesëmarrjen e kryetarit të Komisionit kuvendor për çështje evropiane, Hajrulla Misini në Konferencën e kryetarëve të komisioneve për çështje evropiane të vendeve-anëtare të BE-KOSAK, që u mbajt në Athinë, në kuadër të kryesimit grek me Bashkimin Evropian.

“Misini e quajti vendin e tij me emrin kushtetues” shkruan “To Vima” duke shtuar se pas komentit të përfaqësuesit të Maqedonisë, “Venizelos është kthyer në temë dhe në mënyrë diplomatike e ka kthyer çështjen në dimensionet e vërteta ndërkombëtare”.

“Në lidhje me vërejtjen e mikut tonë të dashur nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë: nëse e kam kuptuar mirë ai është i partisë së kryesuar nga zotëri Ahmeti, me të cilin pata mundësi të takohem në Athinë para disa muajve. Do ta përsëris atë që e kam thënë paraprakisht. Greqia nuk ka vërejtje, të cilat kanë të bëjnë me diçka absurde apo diçka të tepruar. Ne dëshirojmë të plotësohen kriteret e përgjithshme dhe të arrihet zgjidhje e dakorduar në lidhje me emrin”, transmetojnë mediat greke përgjigjen e Venizelosit i cili e ka përsëritur qëndrimin për emër të ndërlikuar me referencë të përgjithshme, i cili përfshin përcaktim gjeografik të termit “Maqedonia”.

Ndryshe, kryetari i Komisionit për çështje evropiane Misini në konferencë pyeti pse Greqia, si promovuese e njohur e zgjerimit, sot, në momentin kur kryeson me Bashkimin Evropian, për fat të keq nuk e ka zgjerimin si prioritet.

Ai iu referua pesë rekomandimeve pozitive nga ana e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian për fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian, si argument se i kemi plotësuar kriteret e Kopenhagës.

Exit mobile version