Site icon PORTALB

Ilir Kupa: Më mirë më vrisni ju se greku, mi vrau shokët me 500 plumba

Ilir Kupa

Ilir Kupa

I riu 27-vjeçar Ilir (Albert) Kupa, i arrestuar nga policia e Tiranës 10 muaj pas arratisjes nga burgu i Trikalasë në Greqi rrëfen për herë të parë historinë e tij.

Në një intervistë për “Xhungël” në “News 24”, të realizuar me shkrim nëpërmjet avokatit Lazër Sokoli, i riu nga Fushë-Kruja tregon arsyet e arratisjes, momentet kur forcat speciale greke i vranë tre shokët e burgut me 500 plumba, persekutimin familjar dhe apelon për drejtësinë: “Më mirë me vrisni ju këtu, se sa të më vrasë greku prapa shpine si të gjithë shokët e mi”.

Cila është historia juaj Ilir? Përse jeni detyruar të arratiseni nga burgu në Greqi? Cilat janë arsyet?

Si të gjithë shqiptarët, kam emigruar për një jetë më të mirë që në vitin 1998 për arsye ekonomike. Jam detyruar të arratisem, sepse jam dënuar në mënyrë totalisht të padrejtë, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë në shtetin grek.
Shteti shqiptar nuk ka shfaqur asnjë interes në ndihmë të 8 mijë të burgosurve në shtetin grek që vuajnë dënimin në mënyrë të padrejtë. Arsye themelore e arratisjes ka qenë padrejtësia e grekëve.
Unë nuk kam lindur kriminel as nuk jam i tillë, por padrejtësia e dhënë ndaj meje ka bërë që të arratisem bashkë me shokët e mi.
Kur keni vajtur për herë të parë në Greqi dhe cilat janë arsyet që emigruat drejt vendit fqinj?
Në janar të vitit 1998 kam vajtur për herë të parë, për arsye vetëm emigrimi, për kushte më të mira ekonomike si të gjithë. Pra për jetë më të mirë.

Përse jeni i revoltuar ndaj shtetit grek?

Të flas për revoltë ndaj shtetit grek nuk kam të sosur, por ato çfarë unë kam përjetuar nga qeveria dhe drejtësia greke më kanë bërë të jem kundër sistemit grek. Populli grek është si shume popuj të tjerë i thjeshtë dhe dashamirës. Kurse sistemi i drejtësisë është më keq se sistemi ynë i kohës së Enver Hoxhës. Diskriminimi racial, fyerja dhe persekutimi familjar janë arsyet themelore të revoltës sime ndaj shtetit grek.

Kush i vrau shokët e arratisjes? Në çfarë rrethanash?

Shokët e mi, Flamur Sinani 42 vjeç, Ermir Sinani, 27 vjeç u vranë nga forcat speciale greke duke u derdhur më shumë se 300 plumba mbi trupin e secilit prej tyre edhe pasi ata kishin vdekur.
Shtetit shqiptar t’i vijë turp që kurrë nuk kërkoi shpjegim dhe as nuk u interesua për këtë masakër ndaj bijve të tij. Kurse vëllain tim, Marjan Kolën (M.K e konsideron vëlla ) e vranë forcat speciale greke pa asnjë paralajmërim në pritë prapa kurrizit. Ata qëlluan mbi 200 plumba, vetëm njeri e kapi prapa kurrizit dhe Marjani vdiq.
Unë kalova mes plumbave dhe shpëtova falë Zotit. Tek Tek kufoma e Marjanit ndalova për pak çaste mes plumbave. Të gjitha të shtënat janë bërë prapa kurrizit tonë pa paralajmërim.

Në media, pas arrestimit tuaj u aludua se keni kryer krime të ndryshme në Shqipëri pas arratisjes nga burgu i Trikalasë. Cila është e vërteta?

Është turp i madh që të bëhet tregti gazetash me ngjarjen tonë. Nuk kam kryer asnjë krim në Shqipëri. Është turp i shtetit tonë që merret me këto gjëra false dhe nuk interesohet për të vërtetën e ngjarjes së vrasjes së tre shokëve të mi.

Cila është gjendja juaj familjare sot?

Kam dy fëmijë të mitur, një djalë i lindur më 21 janar 2008 dhe goca e lindur më 27 janar 2012 sot ka pasur ditëlindjen. Babain e kam invalid, kjo sëmundje i ka ardhur ngaqë është mbajtur padrejtësisht në burg katër muaj në Greqi për arsye se i ishte ngatërruar gjasme emri im me emrin e babait, i cili quhet Fatmir Kupa. Është i paralizuar dhe e kanë shpallur person të rrezikshëm për shtetin grek. Ndërkohë që ka vendim pafajësie. Vëllai im, Zyber Kupa është i burgosur padrejtësisht vetëm nga urrejtja e policisë greke ndaj meje dhe gjithë shqiptarëve.

A keni besim tek drejtësia shqiptare dhe çfarë i kërkoni asaj?

Sa kohë që jam shqiptar, kam besim se do më japin drejtësi. Këtu kam lindur dhe këtu dua të vdes.

A i keni rezistuar policisë në momentin e arrestimit në Tiranë? A ju kanë keqtrajtuar?

Nuk kam rezistuar fare, thjesht u kam thënë “më mirë më vrisni ju këtu se sa të më vrasi greku prapa shpine si të gjithë shokët e mi”. Nuk kanë dhe nuk kishin arsye të më keqtrajtonin policët shqiptarë. Jam njeri mbi të gjitha. Thjesht kërkoj drejtësinë time.

TE ARRATISURIT NGA TRIKALLA

Marian Kola, i vrarë në 21 korrik 2013

Ermir Sinani, i vrarë në 2 korrik 2013

Fatmir Sinani, i vrarë më 2 korrik 2013

lir Kupa, i arrestuar

Taulant Luli, nuk ka informacion

Klement Cala, dyshohet se ndodhet jashtë Greqisë

Admir Murataj, dyshohet se ndodhet jashtë Greqisë

Ermal Lita, dyshohet se ndodhet jashtë Greqisë

Fatos Sulaj, dyshohet se ndodhet jashtë Greqisë . / Balkanweb /

Exit mobile version