Site icon PORTALB

Nxitje e urrejtjes

[Recension: Huliganët i arrin drejtësinë për dëmin prej mbi 200.000 еurosh: Profesori Kallajxhiev thirret në polici]

Së paku 5 nga 17 nenet e Kodit të gazetarëve janë shkelur me këtë përmbajtje mediatike. Kur të merret parasysh ky fakt, bëhet fjalë për devijim serioz nga standardet profesionale të gazetarisë.

Kjo duhet theksuar në mënyrë të qartë dhe duhet të argumentohen lëshimet e konstatuara që të munden qytetarët, publikut, të fitojnë një pasqyrë precize, me kontraste, për përmbajtjen mediatike, e cila si e tillë nuk ka vend në vitrinën e gazetarisë profesionale dhe korrekte në aspekt etik.

Shmangia e parë dominante nga standardi i paraparë minimal është anshmëria politike. Duke filluar nga titulli, e pastaj duke e shtuar ngjyrimin politik në pothuajse të gjitha fjalitë e këtij teksti.

Në këtë kuptim, neni 14 i Kodit është shumë preciz:

Raportimi për proceset politike, veçanërisht zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari duhet të sigurojë distancë profesionale prej subjekteve politike.

Linku deri te artikulli origjinal: Huliganët i arrin drejtësinë për dëmin prej mbi 200.000 еurosh: Profesori Kallajxhiev thirret në polici

Data dhe koha e publikimit: 23.05.2016, 11:16

Data e recensionit: 24.05.2016

Recensues: Zoran Bojarovski

TEKST DISKRIMINUES DHE SHPIFËS

Përmbajtja mediatike që e recensojmë nuk e ka respektuar asnjërën nga rregullat e bazave të gazetarisë. Për shembull – të dëgjohet pala e dytë.

Për shkak se mungon kjo, publiku ballafaqohet me një tekst jo të plotë, jotërësor, i cili, për pasojë, nuk mund të fshehë se është diskriminues dhe shpifës. Në qoftë se gjatë shkrimit të kësaj përmbajtjeje do të merrej parasysh neni 10 Kodit, me siguri do të ishte e qartë se nuk duhet të bëhet kjo. Rekomandimet nga ky nen thonë:

Gazetari nuk do të krijojë e as nuk do të përpunojë me vetëdije informata, të cilat i kërcënojnë të drejtat ose liritë e njeriut, nuk do të flasë me gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, të orientimit seksual…).

Në vend të respektimit të këtyre rekomandimeve, teksti që e recensojmë e përjashton të drejtën individuale për protestë, dhe përderisa profesorin Kallajxhiev e portretizon në mënyrë politkisht të anshme, e etiketon edhe me përkatësi politike:

Kallajxhievi është profesor universitar dhe sjelljen e këtillë vandale e bën në emër të partisë, e cila 10 vite është në opozitë, e cila e futi Maqedoninë në krizë të thellë, dhe e vetëdijshme për rejtingun shumë të vogël, ik nga zgjedhjet dhe ballafaqimi me popullin.

Ky citim zbulon edhe një lëshim serioz kur bëhet fjalë për komentimin dhe shprehjen e mendimit. Gazetarët kanë të drejtë të mendimit dhe të komentojnë, mirëpo kjo bëhet në rubrika të përcaktuara në mënyrë të veçantë në medie. Ky tekst dhe komentet në të janë publikuar në rubrikën “Maqedonia”.

Ja se çka thotë neni 13 i Kodit:

Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komentit.

Shkojmë mëtutje dhe nuk mund ta anashkalojmë këtë fjali:

Profesori është vetëm njëri nga vargu i huliganëve që do të përgjigjen për atë që e kanë bërë.

E shkruar në këtë mënyrë, ajo shkel edhe një nen. Nenin 15, i cili parasheh se gazetarët duhet ta praktikojnë kulturën e komunikimit:

Gazetari duhet ta kultivojë kulturën e të folurit dhe etikën. Komunikimi i pasjellshëm me opinionin nuk ka të bëjë aspak me profesionin e gazetarit.

Nëse gazetarët nuk e bëjnë këtë, dhe në qoftë se shkelin madje 5 nene të Kodit të tyre, atëherë ata e shkatërrojnë dinjitetin e profesionit. Dhe kjo është paraparë në Kod dhe për këtë është përcaktuar rekomandimi, i cili në nenin 16 thotë:

Gazetari do ta ruajë prestigjin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do ta nxisë solidaritetin reciprok dhe pluralizmin e mendimeve dhe nuk do ta përdorë medien e tij për t’i qëruar hesapet me persona të ndryshëm, duke i përfshirë këtu edhe kolegët e tij.

Përveç jokulturës dhe diskriminimit të konstatuar, ky tekst ka tendenca serioze të nxisë urrejtje, që është një veprim i pahijshëm për mediet dhe profesionistët mediatikë, për shkak se me këtë shndërrohen në vegël për propagandë.

Exit mobile version