Site icon PORTALB

Kosova rrezikon të mos luajë në 5 Mars

Kosova rrezikon të mos luajë në 5 Mars

Kosova rrezikon të mos luajë në 5 Mars

U prit me shumë bujë, por vetëm kur kanë kaluar disa javë nga lajmi që FIFA i lejon zhvillimin e ndeshjeve miqësore Kosovës, u pa se sa e vështirë është të organizohet një ndeshje e tillë.

Federata e Futbollit e Kosovës rrezikon që më 5 mars të mos zhvillojë fare ndeshje miqësore, edhe pse zyrtarët e saj thonë se ata po punojnë dhe se do të arrijnë të luajnë më 5 mars.

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, nuk dëshiron as të mendojë se më 5 mars nuk do të luhet ndeshja, edhe pse tërthorazi edhe ai thotë se një gjë e tillë mund të ndodhë.

“Të gjithë po punojnë maksimalisht që ajo ndeshje të luhet dhe unë jam duke punuar që më 5 mars të luaj. Mirëpo, mund të ndodh edhe mos të luhet”, ka thënë përzgjedhësi, duke u bazuar në faktin se përfaqësueset e mëdha tashmë kanë rezervuar kundërshtarët dhe se është shumë e vështirë të gjendet një i tillë për 5 mars.

Ai ka shtuar se nëse ndodh që më 5 mars të mos luhet loja, gjithsesi do të ketë tubim të përfaqësueses.

Sido që të jetë, nuk është problemi vetëm te kundërshtarët, por një problem i madh është edhe te infrastruktura. Askund ajo nuk është gati edhe pse pretendohet se stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, ka nisur të punohet por është ende shumë larg plotësimit të kritereve.

“Në Kosovë duhet të mbizotërojë mentaliteti patriotik sportiv. Nëse edhe me Maltën zhvillojmë ndeshje pa dashur ta nënçmojmë atë shtet, stadiumi duhet të mbushet plot dhe ta mbështesim shtetin tonë.

Nuk duhet mbështetur përfaqësuesen vetëm atëherë kur ke kundërshtar të madh.

Sigurisht që më 5 mars është vështirë të gjendet kundërshtar siç po kërkohet. Unë ju them se për të rezervuar ndeshje me shtetet e mëdha, bisedat duhet të nisin qysh tash për vitin e ardhshëm.

Një fakt tjetër që neve na pengon të luajmë me shtete të forta është kampionati botëror. Ai është në prag dhe sigurisht që ato shtete mund të hezitojnë të vinë të luajnë këtu.

Këto janë gjëra që duhet kuptuar”, është shprehur Bunjaku, i cili përveç që nuk është i sigurt nëse do të luhet ajo ndeshje apo jo, edhe një herë ka refuzuar të japë emra se kush mund të luajë në ndeshjen e parë.

“Është përgjegjësi e imja që të formojë ekipin më të mirë. Ju garantoj që do të kemi përfaqësuese shumë të fortë me lojtarë që kanë luajtur në kampionate botërore, evropiane ligë të kampionëve dhe Superligë të Kosovës”, ka thënë Bunjaku.

“Ne jemi sjell dhe duhet të sillemi si të jemi të pranuar plotësisht. Klubet në kohën kur pushonte kampionati ynë sipas datave të FIFA-s na kritikuan pse duhet të pushojmë kur s’jemi të pranuar. Ato tash duhet të mësohen se do të pushojnë, deshën apo jo.

Ne gjatë kësaj kohe i kemi përcjell shumë lojtarët. Ju them se për të zhvilluar ndeshje kemi pasur problem t’i ftojmë pasi që klubet nuk i kanë lëshuar.

Unë kam pasur probleme edhe nga klubet e Shqipërisë, as ato që nuk m’i kanë lëshuar lojtarët kosovarë me arsyetim se s’jemi të pranuar në UEFA e FIFA”, sqaroi përzgjedhësi i përfaqësuese së Kosovës Albert Bunjaku, i cili gjatë këtyre ditëve do të udhëtojë në shtetet e rajonit dhe më gjerë, ku do të ketë kontakte edhe me futbollistë, shkruan “Zëri”.

Exit mobile version