Ristovski: Testimi ekstern i mbron nxënësit nga vlerësimi joreal i arsimtarëve
Pas ankesave të shumta të shkollave për testimin ekstern, ka dalë në mbrojtje të këtij testimi, Ministri i Arsimit Spiro Ristovski, duke e konsideruar atë se i mbron nxënësit nga notimi jo i drejtë nga ana e arsimtarëve të cilët i vlerësojnë në mënyrë joreale nxënësit.
‘Nuk do të pajtohesha me këtë konstatim pasi vërtet ka situata drastike ku ka nxënës të shkëlqyer por për arsye iks të ndonjë mësimdhënësi nuk i është lejuar atij nxënësi që të merr notë më të lartë. Pikërisht kjo është qëllimi i vlerësimit ekstern, përkatësisht të ulet subjektiviteti gjatë notimit dhe definimit të standardeve tek vetë mësimdhënësit’, deklaroi Spiro Ristovski, Ministër i Arsimit, transmeton Alsat.
Vërejtjet e drejtuesve të disa shkollave lidhur me testimin ekstern kishin të bëjnë me gjobat ose shpërblimet për mësimdhënësit. Ata kërkojnë nga Ministria e Arsimit dhe shkencës të mos shpejtojnë me gjobat dhe shpërblimet. Drejtori i Gjimnazit ‘Zef Lush Marku’, Faruk Zeqiri thotë se Ministria e Arsimit në veçanti duhet të ketë parasysh që mos të shpërblejë mësimdhënësit, nxënësit e të cilëve në gjysmë vjetor kanë nota të dobëta dhe gjithashtu në testim ekstern marrin notë të dobët, transmeton Alsat.
‘Nëse një profesor në një klasë ka mbi 25 nota të dobëta dhe nxënësit e tij dështojnë edhe në testimin ekstern, atëherë ai do të shpërblehet. Me çka do të shpërblehet ai kur nuk ka dhënë maksimumin e tij dhe për këtë shkak unë kisha lutur Ministrinë e Arsimit që të marrin parasysh dhe mos të nisin menjëherë me dënimin dhe shpërblimin e mësimdhënësve pasi kjo do të përbënte për ta një pakënaqësi të madhe’, u shpreh Faruk Zeqiri, Drejtor i Gjimnazit ‘Zef Lush Marku’.
Pritet që rezultatet nga testimi ekstern i nxënësve të publikohen gjatë javës që vjen, kur do të dihet nëse Ministria do të gjobisë dhe shpërblejë mësimdhënësit apo do të marrin parasysh vërejtjet dhe rekomandimet e drejtuesve të shkollave.





