Site icon PORTALB

Ekskluzive: A filloi bashkimi opozitar shqiptar nga Kumanova?

Përfaqësuesit e partive shqiptare në një tavolinë

Degët e partive të PPD-së, UNITETI-t, Lëvizja Besa, LR-PDSH dhe RDK në Kumanovë janë ulur në një tavolinë të përbashkët, raporton Portalb.

Takimi është thirrur për të tentuar të përafrojnë qëndrimet e tyre, kundër regjimit që ka lënë pas dore rajonin e Kumanovës dhe Likovës.  Në takim ka qenë edhe ish komandanti i kësaj zone në Luftën e 2001, Abedin Zymberi.

“Qëllimi i takimit është dhënia e mesazhit se opozita duhet të bashkohet”, tha ai.

Edhe Shaban Zendeli, nga Lëvizja Besa ka përshëndetur nismën e këtij takimi.

“Qëllimi i të gjithëve është i njëjtë, ta luftojmë të keqen ndaj shqiptarëve dhe ta kthejmë të mirën për shqiptarët”, nënvizoi mes tjerash Zendeli.

Kjo nismë ka marrë përkrahje edhe nga Isuf Seferi, nga LR-PDSH.
“Opozita është e vetmja shpresë. Mendoj se ky takim ka me dhënë mesazh të mirë”, deklaroi Seferi.

Shenasi Xheladini nga RDK tha se koha është për vendime konkrete.

“Duhet te japim mesazhe të qarta bashkëpunimi. Kuptohet, nëse duam ta mundim të keqen. Nuk besoj se ka qytetarë që nuk e do bashkëpunimin”, potencoi Mehmet Bajrami nga UNITETI.

Për faktin se janë vetëm degë të partive, të pranishmit u pajtuan se, vendimin për bashkim opozitar e marrin strukturat qendrore.

Kujtojmë se përfaqësuesi special Johanes Hajndëll dy ditë më parë, në një tavolinë uli partitë shqiptare jashtëparlamentare. Ky është hapi i parë drejt konkretizimit të “mesazhit të Hajndëll-it”, që këta subjekte t’i përafrojnë politikat./Portalb

Exit mobile version