Site icon PORTALB

173 policë kanë kryer vepra penale

Ilustrim

Për një vit 173 policë kanë kryer vepra penale, 1 mijë e 64 kanë kryer shkelje disiplinore.

Nga rreth 8 mijë policë që ka Policia e Kosovës (PK), vetëm gjatë vitit të kaluar janë ngritur procedura për shkelje disiplinore ndaj 1 mijë e 64 policëve, ndërsa ndaj 173 policëve janë iniciuar procedurat nën dyshimin e kryerjes së veprave penale.

Sipas të dhënave zyrtare të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), gjatë vitit 2015, ky institucion nga 173 raste me elemente të veprës penale, 108 ka dërguar me kallëzim penal nga Departamentet e Hetimeve në prokuroritë kompetente. Ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 53 raste, kurse 12 raste janë në proces të hetimit të bartura për vitin 2016. Në total ishin 220 punonjës të PK-së si subjekt i hetimit nga IPK-ja. Ndërsa, janë 62 vepra penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare.

Zëdhënësi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Arbër Beka, tha për kp se numri i ankesave ndaj policëve të PK-së në vitin 2015 ka qenë më i vogël në raport me vitin 2014.

Ndërsa, për ekspertin e sigurisë, Burim Ramadanin ky numër i policëve ndaj të cilëve është iniciuar procedurë disiplinore është alarmues për institucionin e Policisë dhe për të gjitha institucionet që i udhëheqin dhe e mbikëqyrin PK-në.

Ramdani tha se më alarmues është fakti se vetëm nga viti 2012 deri në vitin 2014 mbi pesë mijë policë kanë kaluar nëpër procedura disiplinore, derisa tha se këto procedura kanë disa pasoja gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga këta policë.

Mirëpo, sipas Burim Ramadanit edhe përkundër këtyre shifrave, Policia e Kosovës vazhdon të jetë një prej institucioneve më të mira në Kosovë. Po në aspektin e profesionalizimit, elementi kryesor që mbetet është neutraliteti, një pjesë për të cilën Policia e Kosovës duhet të punojë shumë më shumë se sa ka arritur, tha Ramandai.

Ai vlerëson se Policia e Kosovës është larg arritjes së nivelit profesional dhe është larg të qenit në mënyrë të plotë aktive në sistemin që e veçon, atë të policimit demokratik.

Exit mobile version