Site icon PORTALB

Reforma: Rama ‘rrëzon’ amnistinë, PD publikon kushtet

Edi Rama

Kryeministri lajmëron ndryshimin e nenit që linte jashtë hetimit prej SPAK ish-ministrat e qeverive të kaluara, ndërsa thotë se është gabim i ekspertëve ndërkombëtarë. PD u distancua dje nga përfshirja në projektligjin e Reformës në Drejtësi të mosgjykimit të ish-ministrave, që kanë 3 vjet që kanë lënë detyrën. “Është vetëm prova që edhe miqtë e partnerët tanë janë të gabueshëm. Do bëhet më e mira, durim!”, shkroi Rama në Facebook pasi më herët kishte reaguar PD dhe një sërë figurash të partisë socialiste.

Neni 25 i projektligjit për krijimin e SPAK, ku përjashtohen nga hetimi dhe gjykimi i Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme të gjithë ish-ministrat, mund të ndryshohet. Pas reagimi mediatik për këtë lloj “amnistie” për ish-ministrat dhe qëndrimin e Partisë Demokratike që distancohej nga ky propozim, kryeministri njoftoi se neni do të ndryshonte. Edi Rama e la përgjegjësinë për gabimin tek ekspertët ndërkombëtar. “Është vetëm prova që edhe miqtë e partnerët tanë janë të gabueshëm. Do bëhet më e mira, durim!”, shkroi Rama në Facebook pasi më herët kishte reaguar PD dhe një sërë figurash të partisë socialiste.

Partia Demokratike, me anë të një reagimi zyrtar dhe PS, nëpërmjet një figure të rëndësishme si Pandeli Majko, janë shprehur kundër një përkufizimi të tillë në projektligj.

Neni 25

Neni 25 i projektligjit final të paraqitur të mërkurën e shkuar nga ekspertët e huaj dhe me anë të të cilit kërkohet të ndryshohet neni 135 i Kushtetutës, flet pikërisht për krijimin e Gjykatës së Posaçme, e cila do të ketë si subjekt të punës së saj të gjitha rastet e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar për zyrtarët e lartë. Më konkretisht, pika 3 e këtij neni zbërthen dhe se cilët janë kategoritë e zyrtarëve që do jenë direkt subjekt i gjykimit të kësaj gjykate. “Funksionarë të lartë përfshijnë Presidentin në detyrë dhe ish-Presidentët e Republikës, Kryetarin në detyrë dhe ish-kryetarët e Kuvendit, Kryeministrin në detyrë dhe ish-kryeministrat, anëtarët e Këshillit të Ministrave në detyrë, anëtarët e Këshillit të Ministrave gjatë tri viteve të fundit, Prokurorin e Përgjithshëm, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Kryetarët e Bashkive dhe deputetët e Kuvendit, zëvendësministrat, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative, dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj”, -thuhet në pikën 3 të nenit 25 të projektligjit. Pra siç shihet parashikohet, objekt i këtij gjykimi do jenë vetëm ministrat e 3 viteve të fundit, duke përjashtuar kështu të gjithë ish-ministrat. Pavarësisht se duket se nga ky përcaktim amnistohen vetëm ish-ministrat demokratë, ky nen duket se favorizon në një farë mënyre edhe vetë ministrat aktualë apo ish-ministrat socialistë, të cilët kanë dhënë tashmë dorëheqjen apo janë larguar nga kabineti. Kjo pasi do t’i përjashtonte ata nga çdo hetim i një vepre penale për korrupsion apo krim të organizuar që do të zbulohej pasi ata të kenë lënë postin e ministrit dhe do të kishin mbushur tre vjet nga lënia e asaj detyre. Një standard i dyfishtë ky që kërkohet të sanksionohet në këtë nen, pasi e njëjta gjë nuk ndodh me ish-presidentët apo ish-kryeministrat.

Reagimet

Nëpërmjet një deklarate zyrtare, Partia Demokratike është distancuar nga një nen i tillë, duke theksuar se ajo nuk e ka kërkuar asnjëherë përfshirjen e një dispozite të tillë, duke akuzuar në të njëjtën kohë mazhorancën se po mashtron publikun. “Partia Demokratike hedh poshtë spekulimet në media, të servirura dhe të orientuara nga Edi Rama, lidhur me Reformën në Drejtësi, sikur PD po kërkon imunitet për ish-zyrtarët e saj. Këto janë shpifje të ulëta dhe përpjekje e mjerë e Edi Ramës për të gjetur një armik për Reformën në Drejtësi, por armik tjetër kjo reformë përveç tij nuk ka”, -thuhet në njoftimin e PD. Partia Demokratike e thekson se është për hetim të plotë të zyrtarëve të lartë, të ish-zyrtarëve të lartë, të çdo funksionari e ish-funksionari, pa asnjë lloj kufizimi kohor apo të çfarëdo lloji tjetër. “I vetmi kusht që ka pasur dhe ka Partia Demokratike për Reformën në Drejtësi është që ajo të mos kapet politikisht nga Edi Rama, të mos bëhet shtesë dhe alibi e qeverisjes së të tij. Partia Demokratike mbështet një Reformë në Drejtësi sipas parimeve e standardeve europiane, që nuk mbron, por lufton pa kompromis krimin dhe korrupsionin pa asnjë dallim apo kufizim”, -mbyll njoftimin e vet PD. Ndërkohë që megjithëse nuk ka pasur një reagim po ashtu zyrtar nga PS, ka qenë ish-kryeministri, Pandeli Majko, ai që ka denoncuar një përcaktim të tillë, duke u shprehur në mënyrë kategorike kundër çdo amnistie në këtë drejtim. “Ambasadori amerikan, është mbrojtës i miqësisë që u takon shqiptarëve! JO, “amnistisë” në Reformën e Drejtësisë!”, -shkroi Majko në Facebook. Vetë kryeministri Rama njoftoi se neni ishte një gabim dhe se nuk do kishte amnisti në reformën që duket se po futet në ditët e saj të fundit.

Idrizi: Ata që kanë shkelur vijën e kuqe janë politikanët shqiptarë dhe jo ambasadorët

Deklaratat e ambasadorit amerikan, Donald Lu, gjatë javës së shkuar në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, ka ngjallur reagime të ndryshme në klasën politike shqiptare. Ndryshe nga sa u shpreh dy ditë më parë kreu i PDS-së, Paskal Milo, se ambasadorët kanë kaluar vijën e kuqe me deklaratat dhe qëndrimet e tyre, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, mendon se ata që kanë kaluar këtë vijë me qëndrimet e tyre janë pikërisht politikanët shqiptarë. Gjatë një takimi me strukturat në Lezhë, Idrizi tha se janë politikanët shqiptarë ata që kanë kaluar vijën e kuqe dhe jo ambasadorët e SHBA-së e BE-së, Donald Lu e Romana Vlahutin. “Boll më, shkoni e votoni Reformën në Drejtësi. Nuk e kaluan vijën e kuqe ambasadorët, por janë politikanët shqiptarë ata që e kanë shkelur me kohë vijën e kuqe”, tha kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ai përsëriti qëndrimin unanim të kësaj partie për të votuar Reformën në Drejtësi dhe u bëri thirrje palëve në politikë, të lënë mosmarrëveshjet dhe të votojnë me urgjencë Reformën në Drejtësi. Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së Mesila Doda foli për ndryshimet në kushtetutë duke i kërkuar politikës të jetë e kujdesshme në ndryshimet që bën. “Mos prekni Kodin e Familjes. Ne mbrojmë familjen dhe martesa është vetëm mes një burri dhe një gruaje. Nuk preket Kushtetuta për të prishur familjen. Kushtetuta preket vetëm për Reformën në Drejtësi”, -tha Doda. Deputeti Aqif Rakipi, tha se PDIU është parti kombëtare dhe se do të ketë deputetët e saj në shumë zona. “ Jemi po aq të mëdhenj si në Jug dhe në Veri, Lezha do të nxjerrë deputetin e saj . Nuk ka pse të ketë Lezha deputet nga Tirana, por duhet një njeri nga Lezha si Zef Doçi”, tha Rakipi.

Neni 135

Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, Gjykata e Lartë Administrative, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj.
Kuvendi mund të krijojë me ligj gjykata për fusha të veçanta, por në asnjë rast gjykata të jashtëzakonshme.
Gjykata e posaçme e shkallës së parë dhe e apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të akuzave penale kundër funksionarëve të lartë, krijohet me ligj. Funksionarë të lartë përfshijnë Presidentin në detyrë dhe ish-presidentët e Republikës, Kryetarin në detyrë dhe ish-kryetarët e Kuvendit, Kryeministrin në detyrë dhe ish-kryeministrat, anëtarët e Këshillit të Ministrave në detyrë, anëtarët e Këshillit të Ministrave gjatë tri viteve të fundit, Prokurorin e Përgjithshëm, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Kryetarët e Bashkive dhe deputetët e Kuvendit, zëvendësministrat, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore qendrore ose të pavarura, të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj.
Gjyqtarët e gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në përputhje me këtë dispozitë dhe ligjin. Kryetari i gjykatës dhe gjyqtarët e këtyre gjykatave shkarkohen përpara përfundimit të mandatit në rastet e shkeljeve të rënda disiplinore me dy të tretat e votave të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjyqtarët dhe administrata gjyqësore i nënshtrohen me sukses verifikimit të pasurisë dhe të figurës. Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk mund të emërojë asnjë gjyqtar pa marrë pëlqimin e tij dhe familjarëve të afërt për kontrollet periodike të llogarive bankare dhe telekomunikimeve personale, sipas ligjit. Telekomunikimet personale të familjarëve të afërt, të cilët nuk kanë dhënë pëlqimin, do monitorohen vetëm me vendim gjykate.

PD: Jo miratimit në parim, e diskutojmë më parë nen për nen

Zyrtarisht, Partia Demokratike mbështet në parim ndërhyrjet dhe përmirësimet e bëra nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, në draftin kushtetues për Reformën në Drejtësi. PD-ja konstaton se nga analiza në tërësi e draftit të rishikuar nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, shihen përmirësime të cilat synojnë përafrimin e tij me standardet ndërkombëtare, duke përmbushur në këtë mënyrë një kërkesë themelore të opozitës parlamentare. Megjithatë, ajo kërkon vendimmarrje politike për çështjet e nënvizuara nga ekspertët e huaj në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe nisja e punës për shqyrtimin e thelluar nen për nen të amendamenteve kushtetuese të hartuar nga ekspertët. Demokratët për pasojë refuzojnë që në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar të reformës, drafti i EURALIUS dhe OPDAT, t’i nënshtrohet një votimi në parim. “…Propozimi i Kryetarit të Komisionit të Posaçëm në mbledhjen e fundit, se nga ana jonë duhet të ndiqet procedura e votimit të draftit ‘në parim’, njëlloj siç bëjnë Komisionet e Përhershme Parlamentare për projektligjet, është ekstra kushtetuese/ parlamentare…”, – thuhet në qëndrimin e PD-së. Edhe pse vërehet se janë pranuar rreth 35 vërejtje të saj, PD-ja nënvizon se mbeten ende disa çështje që kërkojnë zgjidhje politike, për të cilat ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT janë shprehur qartë se për sa kohë nuk ka një vendimmarrje politike lidhur me to, ato nuk mund të bëjnë ndërhyrje në draft. “…Në veçanti, përpara nesh shtrohen për vendimmarrje politike dy çështje themelore që nuk kanë gjetur ende pasqyrim në draftin e rishikuar të Amendamenteve Kushtetuese, që kanë të bëjnë me garantimin e moskapjes politike të sistemit të drejtësisë, si dhe luftën ndaj korporatizmit”, -thuhet në qëndrimin e PD. Lidhur me moskapjen politike, PD nënvizon se është kundër emërimit të të gjithë funksionarëve të lartë të sistemit të drejtësisë me 3/5 e votave, pasi sipas saj, ky kuorum zotërohet aktualisht nga mazhoranca. PD sqaron gjithashtu pozicionin e saj kundrejt nenit 25 të draftit, ku ndër të tjera flitet edhe për kohën se kur duhet te hetohen ish-ministrat. “Në draftin e rishikuar në komponentin antikorrupsion (nenin 25) është parashikuar se subjekt i hetimit do të jenë ndër të tjerë ‘ish-ministrat gjatë 3 viteve të fundit’. Duam të theksojmë fort se kjo pikë nuk është kërkuar ASNJËHERË, as nga ekspertët e opozitës dhe as nga ndonjë anëtar i opozitës në Komision”, -thuhet në qëndrimin zyrtar të PD-së.

Pikat kryesore të qëndrimit të PD-së për Reformën në Drejtësi

Qartësisht ekspertët në hyrje të draftit kanë shprehur pozicionin se propozimet e tyre nuk përfshijnë asnjë vendimmarrje politike që pritet të arrihet mes palëve dhe as nuk kanë për synim të kërkojnë përzgjedhjen/favorizimin e një vendimi politik kundrejt një tjetri. Kjo është edhe arsyeja se përse në këtë draft nuk kanë marrë ende adresim disa shqetësime politike të pranuara të opozitës parlamentare, (dispozitat kanë mbetur të pandryshuara në këtë drejtim), sepse pozicioni i drejtë i ekspertëve ndërkombëtar, bazuar në Opinionin Final të Komisionit të Venecias, është se mbi to duhet të ketë diskutim dhe vendimmarrje në nivel politik, dhe jo teknik…

Nga analiza në tërësi e draftit të rishikuar nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, konstatojmë përmirësime të cilat synojnë përafrimin e tij me standardet ndërkombëtare, duke përmbushur në këtë mënyrë një kërkese themelore të opozitës parlamentare. Është botërisht e ditur se draftet e njëanshme të Shtatorit 2015 dhe Janarit 2016, paraqisnin problematika të thella mbi përputhshmërinë e tyre me standardet ndërkombëtare, të cilat u konfirmuan nga Komisioni i Venecias dhe së fundmi edhe nga ndryshimet që kanë propozuar ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT.

Ndryshimet që i janë bërë draftit në versionin e tij të 04 Maj 2016, janë kërkuar nga ana jonë që të kryheshin që në Shtator 2015, konfirmuar me qëndrimet e ekspertëve dhe anëtarëve të Komisionit edhe ndërkombëtarisht, mirëpo, mazhoranca parlamentare këmbënguli për të vijuar punën në mënyrë të njëanshme, duke injoruar në këtë mënyrë opinionet tona racionale dhe profesionale, si dhe thirrjen për realizimin e një procesi të përbashkët, të sinqertë dhe gjithëpërfshirës. Kjo ishte arsyeja e vetme, unike në llojin e saj ku mazhoranca me arrogancë refuzon ofertën e opozitës për bashkëpunim, që ka prodhuar si rezultat vetëm vonesën prej 8 muajsh në arritjen e dakordësisë midis palëve politike për ndryshimet kushtetuese në kuadër të Reformës në Drejtësi…

Në draftin e rishikuar në komponentin antikorrupsion (nenin 25) është parashikuar se subjekt i hetimit do të jenë ndër të tjerë “ish ministrat gjatë 3 viteve të fundit”. Duam të theksojmë fort se kjo pikë nuk është kërkuar ASNJËHERË, as nga ekspertët e opozitës dhe as nga ndonjë anëtar i opozitës në Komision. Ne e kemi shprehur dhe e ripërsërisim qëndrimin tonë për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe se kemi qenë, jemi dhe do të jemi KUNDËR çdo kufizimi kohor për hetimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, sepse korrupsioni duhet të dënohet pavarësisht nga koha kur apo nga kush është kryer…

…Ne përshëndesim dhe mbështesim pa asnjë mëdyshje ndërhyrjet përmirësuese që ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT kanë bërë në draftin e ri… Aktualisht, mbeten ende disa çështje që kërkojnë zgjidhje politike, për të cilat ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT janë shprehur qartë se për sa kohë nuk ka një vendimmarrje politike lidhur me to, ato nuk mund të bëjnë ndërhyrje në draft.

Në fakt, çështjet që kërkojnë vendimmarrje politike janë evidentuar edhe nga Komisioni i Venecias në Opinionin e tij Final, dhe për të cilat na duhet të vendosim ne, anëtarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, me qëllim finalizimin sa më parë të këtij procesi, në përputhje me standardet ndërkombëtare nëpërmjet dialogut politik.

Gjithashtu, drafti paraqet edhe disa probleme teknike, të cilat janë evidentuar në mënyrë të plotë nga ana jonë, por për të cilat do të shprehemi në diskutimet e thelluara që do t’i bëhen Amendamenteve me qëllim arritjen e synimit të punës së Komisionit të Posaçëm për përmirësimin e mëtejshëm të përmbajtjes së draftit. Në fakt, ekzistencën e disa problemeve teknike, e ka konstatuar edhe Komisioni i Venecias në Opinionin Final, mirëpo është shprehur se: “…Mbeten disa probleme teknike, por që nuk duhet të jenë të pazgjidhshme. Ky opinion nuk analizon me detaje tekstin e rishikuar, por trajton çështjet kyçe të mbetura që duket se kanë qenë më të debatuara në diskutimin e brendshëm politik gjatë rishikimit të projekt ndryshimeve……” Edhe ne vlerësojmë se problemet teknike të evidentuara nuk duken të jenë të pazgjidhshme.

…Në veçanti, përpara nesh shtrohen për vendimmarrje politike dy çështje themelore që nuk kanë gjetur ende pasqyrim në draftin e rishikuar të Amendamenteve Kushtetuese, që kanë të bëjnë me garantimin e moskapjes politike të sistemit të drejtësisë, si dhe luftën ndaj korporatizmit.

Mbi përgjegjshmërinë dhe luftën ndaj korporatizimit në sistemin e drejtësisë, opozita parlamentare ka shprehur shqetësimin mbi skemën organizative që propozojnë Amendamentet Kushtetuese. Edhe kjo çështje kërkon vendimmarrje politike, bazuar edhe në konstatimin e Komisionit të Venecias në Opinionin Final, ku specifikohet se: “…..Në përfundim, i takon ligjvënësit kombëtar që të hartojë sistemin e kontrolleve dhe ekuilibrave….” Për opozitën parlamentare, kjo çështje është më shumë me karakter sistemik dhe funksional (që lidhet me funksionimin afatgjatë të sistemit), sesa politik, prandaj edhe besojmë se diskutimet tona të përbashkëta mbi këtë çështje në Komision, duhet të jenë të zhveshura nga konsiderata, ndarje apo emocione politike.
Në këtë kuadër, dëshirojmë vëmendjen tuaj mbi skemën që ofrojnë Amendamentet Kushtetuese, për të gjykuar me ftohtësinë e nevojshme profesionale, nëse kjo është zgjidhja dhe modeli më i mirë i mundshëm që mund të adoptohet nga ana jonë. Sipas Amendamenteve Kushtetuese krijohen 4 organe (KLGJ, KLP, ILD, dhe TDD) për të qeverisur dhe proceduar disiplinarisht gjyqtarët/prokurorët dhe vetë anëtarët e këtyre organeve vetëqeverisëse. Mirëpo, konstatohet lehtësisht se marrëdhënia institucionale dhe funksionale midis tyre, shoqërohet me konflikt të dukshëm interesi, që kontribuon në forcimin e korporatizimit dhe mungesën e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies…

…II. Mbi çështjen e moskapjes politike të sistemit të drejtësisë, e cila është më së shumti çështje politike, sesa teknike, zgjidhja e mbrojtur nga mazhoranca për emërimin e të gjithë funksionarëve të lartë të sistemit të drejtësisë (anëtarëve të GJK, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, 5 anëtarëve të jashtëm të KLGJ-së dhe KLP-së, anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit pranë GJK) me 3/5 e votave që zotërohen prej saj aktualisht në Kuvend, ka qenë dhe mbetet e papranueshme për ne.

Mbi këtë çështje, Komisioni i Venecias në Opinionin Final ka bërë të qartë se:

“Në lidhje me metodën e zgjedhjes së anëtarëve jo gjyqtarë, janë të mundshme disa zgjidhje të tjera dhe Parlamenti mund të konsiderojë edhe alternativa të mëtejshme, përkatësisht duke siguruar përfaqësimin proporcional de facto të forcave kryesore politike brenda KLGJ-së. Komisioni i Venecias thekson që i takon ligjbërësit vendës që të përzgjedhë sistemin që së pari, do të sigurojë përzgjedhjen paraprake të kandidatëve më të kualifikuar nga një trupë e përshtatshme ekspertësh, dhe së dyti, do t’i japë opozitës mundësinë që të ndikojë në zgjedhjen e pjesës “jo-gjyqtarë” të KLGJ-së nëpërmjet kërkesës për shumicë të cilësuar ose në ndonjë mënyrë tjetër. (parag. 17) Konsideratat e mësipërme mund të zbatohen edhe për përbërjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që mund të organizohet sipas të njëjtës logjikë.

Përndryshe, në situatën aktuale politike, mund të konsiderohet një rregull i përkohshëm (ose një marrëveshje kushtetuese kalimtare) për zgjedhjen e këtyre dy figurave zyrtare me një shumicë më të madhe se 3/5 at (ky rregull do të zbatohej vetëm për zgjedhjen e parë nga legjislatura aktuale ku shumica ka 3/5 at e votave).

…Mbrojtja me fanatizëm e versionit për emërimin e të gjithë funksionarëve të sistemit të drejtësisë me votat vetëm të mazhorancës parlamentare, në vlerësimin tonë ka qenë dhe mbetet, qëllim i fshehur i mazhorancës parlamentare për të bllokuar miratimin e shpejtë të Reformës në Drejtësi. Në këto kushte, tashmë i takon mazhorancës parlamentare që të tregojë vullnet real për miratimin e reformës dhe të mbështesë modelin e ofruar nga EURALIUS dhe OPDAT e të pranuar nga opozita parlamentare, duke u tërhequr kështu edhe nga përpjekja e fundit e saj për të siguruar çimentimin e kapjes politike të sistemit të drejtësisë. Në këtë mënyrë vlerësojmë se çlirohet nga ngarkesat e panevojshme politike dhe mosbesimi i ndërsjellë, edhe procesi i diskutimit nen për nen të draftit të Amendamentet Kushtetuese.

…Paraprakisht, dëshirojmë të theksojmë se opozita parlamentare është në favor të ruajtjes së mandatit kushtetues, të të gjitha organeve kushtetuese, funksionarët e të cilëve kalojnë me sukses procesin e rivlerësimit…

Ndërprerja e mandatit kushtetues të KLD-së brenda 8 muajve është menduar për shkak të fillimit të funksionimit brenda këtij afati të KLGJ-së sipas Amendamenteve Kushtetuese. Në këtë pikë, sjellim në vëmendjen tuaj se asnjë nga organet e reja të sistemit të drejtësisë, nuk mund të fillojë funksionimin, pa ju nënshtruar fillimisht procesit të rivlerësimit secili prej anëtarëve të këtyre organeve. Për sa kohë është krijuar perceptimi i drejtë publik, se sot sistemi i drejtësisë vuan nga korrupsioni i lartë, atëherë duhet të sigurohet se në përbërjen e KLGJ-së, KLP apo ILD nuk do të shkojnë individë që kanë probleme me integritetin e tyre apo që më parë kanë vënë pasuri si pasojë e veprimtarisë korruptive. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet procesit të rivlerësimit, sic parashikohet në Aneksin e Amendamenteve Kushtetuese…

…Gjithashtu, është e nevojshme që të respektohen kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës deri në fund të mandatit të tij.

…Për të konkluduar konsideratën tonë të përgjithshme mbi draft Amendamentet Kushtetuese, duke mbajtur parasysh sa më sipër, në emër të anëtarëve të opozitës parlamentare, shprehim vlerësimin për përmirësimet e bëra nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, si dhe kërkesën për të nisur menjëherë diskutimin e thelluar që do të çojë drejt vendimmarrjes politike, me qëllim konsensusin e plotë politik për draftin e Amendamenteve Kushtetuese, dhe nisjen e punës për paketën e ligjeve shoqëruese, në zbatim të detyrës që na është ngarkuar ne si Komision.

Në këtë drejtim, propozimi i Kryetarit të Komisionit të Posaçëm në mbledhjen e fundit, se nga ana jonë duhet të ndiqet procedura e votimit të draftit “në parim”, njëlloj siç bëjnë Komisionet e Përhershme Parlamentare për projektligjet, është ekstra kushtetuese/ parlamentare.

Ajo që duhet të ndodhë nga sot e në vijim është vendimmarrja politike për çështjet e nënvizuara nga ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe nisja e punës për shqyrtimin e thelluar nen për nen të Amendamenteve Kushtetuese të hartuar nga ekspertët, të cilat duhet të hartohen në mënyrë përfundimtare nga ana e Komisionit të Posaçëm. Paralelisht duhet të nisë dhe të përfundojë puna për paketën e plotë ligjore që do të shoqërojë Amendamentet Kushtetuese…

…Komisioni i Posaçëm dhe Kuvendi duhet t’i qëndrojnë strikt procedurave kushtetuese dhe parlamentare standarde për miratimin e ndryshimeve kushtetuese…

Përfundimisht, mbështesim në parim ndërhyrjet dhe përmirësimet e bëra nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT në draftin kushtetues, me shpresën se edhe mazhoranca ndan të njëjtin vullnet me opozitën parlamentare, për ta çuar përpara realizimin e Reformës në Drejtësi

Exit mobile version