Site icon PORTALB

Kriza politike dhe reformat në Maqedoni

Argëtim Saliu, PhD kandidat për Administratë publike të krahasuar

Argëtim Saliu, PhD cand.

Qytetarët po jetojnë në ankth dhe realitet të shtrembëruar. Çdo ditë e më tepër po bëhen të papërballueshme sfidat që i sjell jeta. Thjeshtë, situata e krijuar nga krizat e njëpasnjëshme politike po reflektohen në mirëqenien dhe psikologjinë e qytetarëve.

Si pasojë e krizave të njëpasnjëshme politike Maqedonia po e thellon hendekun e problemeve dhe po largohet nga axhenda europiane. Sfidat me të cilat po përballet aktualisht Maqedonia, respektivisht elitat politike, imponojnë detyrimisht në afrimin e forcave pozitive në mes elitave politike, shoqërisë civile dhe mediave për tejkalimin e krizës aktuale politike dhe kthimin e jetës normale në vend.

Përkundër kësaj nevoje imediate, krizat politike në Maqedoni po lënë anash reformat në përgjithësi dhe në administratën publike në veçanti. Pasiguria dhe stabiliteti i brishtë po ndikon në imazhin e vendit dhe në zhvillimin ekonomik. Disa kompani biznesi nga vendi dhe jashtë tani më paralajmëruan stopimin e investimeve, me çka i kemi edhe paralajmërimet e para për rënie të bruto prodhimit vendor dhe rritjes të çmimeve në konsum për muajt në vazhdim.

Vështirë mund të flitet për reforma cilësore në administratë, përderisa gjithnjë e më tepër po veprohet në kundërshtim të rekomandimeve të faktorit ndërkombëtar, si Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore në lidhje me përforcimin e sistemit, profesionalizimit dhe zvogëlimit të numrit të administratorëve. Megjithatë, në bazë të praktikave të deritanishme, sa herë që janë afruar zgjedhjet parlamentare, qofshin të rregullta apo të parakohshme, çdo herë kemi pasur rritje të administratës përmes punësimeve të militantëve partiakë. Kurse në raportet e progresit nga Komisioni Europian vazhdon të na thuhet troç, se: numri i madh i të punësuarve në administratën publike, ku përkatësia politike merret si bazë dhe kriter gjatë punësimit, si dhe mosefikasiteti, janë problemet kryesore që dëshmojnë se ende partia nuk është ndarë nga shteti, respektivisht pushteti. Është një sekret publik  edhe e dhëna që flet se, administrata shtetërore është e stërngarkuar edhe me aktivistë të tjerë, tek të cilët dëgjueshmëria partiake matet përmes kontratave në vepër por edhe përmes kontratave sezonale, sidomos në administratën publike. Fenomen më vete i cili zvarritet tash e sa kohë mbi kurrizin e administratës shtetërore është edhe numri shumë i madh i administratorëve të cilët ndonëse paguhen si të tillë deri më sot nuk kanë pasur rastin të punojnë asnjë lëndë administrative. I vetmi vend në botë është Maqedonia që ka administratorë shtëpiakë, që rrinë në shtëpi e që paguhen si administratorë. Kjo fryrje e administratës shtetërore dhe të asaj publike, në fakt është një truk lehtësisht i lexueshëm i kësaj qeverie e cila luan në dy letra: të shpërfaqet si qeveri që është angazhuar në zvogëlimin e të papunëve si dhe të shpërfaqet si “parti amë” e cila mbanë linja plotësisht korrekte në raport me militantët dhe me të gjithë ata që marrin dhe zbatojnë detyra partiake. Kjo politikë na çon në sistem monist dhe në diktaturë. Kurse në këto anë të Europës koha e sistemeve moniste e diktatoriale ka përfunduar njëherë e përgjithmonë.

Ndoshta për një afat jo të gjatë kohor, si rrjedhojë e numrit të madh të të punësuarve në kurriz të buxhetit të shtetit, Maqedonisë mund t`i ndodh skenari i Greqisë, përkatësisht shteti të bankrotojë. E gjithë kjo si pasojë se rrogat e të punësuarve në administratën publike pagesat e pensioneve të pensionistëve sigurohen kryesisht përmes marrjes së huave-kredive që i merr qeveria nga bankat e vendit dhe bankat e ndryshme ndërkombëtare.

Qytetarët po jetojnë në ankth dhe realitet të shtrembëruar. Çdo ditë e më tepër po bëhen të papërballueshme sfidat që i sjell jeta. Thjeshtë, situata e krijuar nga krizat e njëpasnjëshme politike po reflektohen në mirëqenien dhe psikologjinë e qytetarëve. Shih çudinë, siguria e qytetarëve po vihet në rrezik si pasojë e udhëheqjes së “dyfishtë” të Ministrisë së punëve të brendshme e cila udhëhiqet nga opozita dhe pozita!

Nëse rekomandimi për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Europian varet nga zgjidhja e krizës dhe vazhdimi i reformave (nëse kanë filluar), atëherë pse liderët politk nuk e tejkalojnë vetveten që nëpërmjet dialogut të zgjedhin problemet në interes të vendit dhe qytetarëve. Kjo nuk do të ndodhë përderisa te këto parti edhe më tej interesat partiake janë parësore. Gjithmonë, në të tilla raste, duhet që padhembshëm të përmbysen këto “vlera partiake” në të mirë të interesit të përgjithshëm.

Exit mobile version