Site icon PORTALB

KSHZ u ngjyros nga Revulucioni Laraman (FOTO-VIDEO)

20:20 – Pas gjuajtjes me ngjyrë protestuesit janë shpërndarë në mënyrë të qetë dhe ndryshe nga ditët tjera, sot protestuesit nuk shkuan tek Qeveria.

20:05 – Protestuesit vazhduan ‘Revolucionin Laraman’ dhe kështu mbuluan me ngjyrë edhe objektin e KSHZ-së. Në objektin e KSHZ ka persona të cilët sipas gjitha gjasave janë të MPB, të cilët kanë vendosur kamera në katin e parë dhe të dytë dhe incizojnë protestuesit.

20:00 – Mantelet mbrojtës që i refuzoi policia, iu ndan qytetarëve dhe gazetarëve të cilët incizojnë dhe janë në vendin e ngjarjes.

19:45 – Protestuesit arrijnë para KSHZ-së dhe organizatorët kanë ofruar mantel për t’i mbrojtur policët qe të mos ngjyrosen, policia i refuzoi ata. Në autoparlanta lëshohen përgjimet për mashtrimet zgjedhore ku dëgjohen biseda në mes Nikolla Gruevskit, Gordana Jankullovskës dhe Mile Janakievski, të publikuara deri më tani nga lideri i opozitës, Zoran Zaev.

19:15 – Protestuesit kanë kaluar tashmë Kuvendin dhe janë nisur drejt Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

18:58 – Protestuesit janë nisur drejt Kuvendit të Maqedonisë.

18:37 – Prokuroja speciale Katica Janeva ka përshëndetur të gjithë protestuesit gjatë hyrjes në objektin e Prokurorisë Speciale Publike.

Katica Janeva gjatë hyrjes në PSP

18:25 – Ish ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere ka deklaruar se i mbështet protestat civile që po mbahen në mbarë Maqedoninë. Ai ka thënë se presidenti Ivanov duhet ta tërheq vendimin për falje, ndërkaq zgjedhjet në këto rrethana nuk mund të mbahen pasi nuk janë plotësuar kushtet.

“I përkrahi protestat civile që kanë për qellim përmirësimin e normave demokratike. Presidenti Ivanov duhet të tërheq vendimin për falje ose abolim, ndërkaq në këto rrethana nuk janë krijuar ende kushtet për tu mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha ish diplomati Fuere.

18:00 – Lëvizja Civile “#Protestoj” ka filluar protestën e 16 të “Revolucionit Laraman”, kundër vendimit të presidentit Gjorge Ivanov që me 12 prill i fali 56 politikanë dhe bashkëpunëtorë të tyre që janë nën hetime, njofton Portalb.

Protesta ka filluar në ora 18:00 para godinës së PSP-së në Shkup, ku fillimisht do t’i jepet mbështetje këtij institucioni. Protesta e sotme në fokus do t’i kenë kërkesat për zgjedhje fer dhe demokratike.

Në mbështetje të protestuesve ka dal edhe ish ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere.

Përveç Shkupit, nga Lëvizja Civile #Protestoj, kanë njoftuar se sot do të mbahen protesta edhe në:

Lëvizja Civile “#Protestoj” ka parashtruar 8 kërkesa që protestat të ndalen:

  1. Tërheqjen e menjëhershme të vendimit të presidentit Gjorge Ivanov.
  2. Të jep dorëheqje Ivanov.
  3. Gjykata Kushtetuese të deklarohet për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale Publike.
  4. Të formohet një departament special në Gjykatën Penale i cili do të jetë kompetente për lëndët që janë nën kompetencën e PSP-së.
  5. Tërheqjen e menjëhershme të datës së mbajtjes së zgjedhjeve më 5 qershor.
  6. Në bisedimet për krizën politike në vend, të kyçet sektori civil.
  7. Bisedimet për zgjidhjen e krizës të bëhet në territorin e Maqedonisë.
  8. Formimin e një qeverie kalimtare e cila do t’i implementojë deri në fund reformat urgjente nga raporti i Pribe-së.

“#Protestoj”, ka bërë të ditur se nëse nuk plotësohen këto kërkesa ata do të vazhdojnë me protestat në rrugë, transmeton Portalb.

Përndryshe, “Revolucioni laraman’, është emri i protestës në të cilën qytetarët në çdo protestë kanë në shënjestër institucionet dhe objektet e shtetit të cilat i gjuajnë me ngjyrë.

Deri më tani janë gjuajtur me ngjyrë Ministria e Kulturës, Ministria e Drejtësisë, objektet e Shkupit 2014, zyra e presidentit Ivanov, Qeveria e Maqedonisë, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, dy përmendoret në formë luani të cilët gjenden në urën “Goce Dellçev”, në protestën e së mërkurës u gjuajtën me ngjyrë fotografia e Nikolla Gruevskit dhe Gjorge Ivanovit, ndërkaq dje u gjuajt objekti i Gjykatës Themelore Shkupi 1.

Përveç protestës së 13 prillit, ku protestuesit arritën të futën në Zyrën Popullore të presidentit Gjorge Ivanov dhe ta demolojnë atë, protestat kryesisht kanë qenë të qeta dhe pa incidente. /Portalb

Exit mobile version