Site icon PORTALB

Basha afat degëve: Zgjidhni krerët e PD deri më 30 qershor

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetarët e 35 degëve të PD-së në mbarë vendin që do i nënshtrohen një procesi të ri zgjedhjesh, sipas vendimit të fundit të kryesisë së PDsë, janë njoftuar hollësisht mbi vendimin e përfshirjes në zgjedhje të degëve të tyre. Udhëzimi i posaçëm i kreut të PD-së, Lulzim Basha, të cilin e disponon “GSH”, u është shpërndarë të gjithë drejtuesve lokalë të PD-së, përmes së cilit u bëhet e qartë se si do të zhvillohet i gjithë procesi zgjedhor, që duhet të mbyllet brenda datës 30 qershor.

Në urdhër parashikohet ngritja e grupeve të punës në bazë qarku, dege, seksioni dhe grup-seksioni, me qëllim riorganizimin e strukturave të partisë si edhe mbulimin territorial edhe në fshatin më të largët. Në këtë mënyrë, me urdhrin e ri të kryetarit Basha për zgjedhjet në 35 degë të PD-së, nga të cilat 14 do të jenë të reja, hapet kështu gara për kandidatët për drejtimin e këtyre strukturave.

Vihet re në urdhrin e kryetarit Basha, që kandidatët që do të marrin pjesë në këtë proces, përveç të tjerave duhet të kenë plotësuar formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin. Sipas këtij urdhri, brenda datës 30 qershor duhet të mbyllet procesi i riorganizimit si dhe i zgjedhjes së të gjitha strukturave të reja në degë. Basha kërkon që 30 qershori të jetë afati i fundit, ku grupet e punës të ngritura për riorganizimin të kenë përfunduar punë jo vetëm me zgjedhjen e kryetarit të ri në zonat ku do ketë proces, por dhe me identifikimin e plotë të anëtarëve dhe problematikave me të cilat përballet dega.

“Brenda datës 30 qershor 2016, grupi i punës së çdo dege, përfundon procesin e riorganizimit dhe fuqizimit të strukturës si dhe zgjedhjeve të organeve të reja të degës në të gjithë nivelet”, – thuhet në udhëzimin e Bashës.

Krahas udhëzimit për gjithë procesin, Basha u ka vënë në dispozicion kryetarëve të degëve në proces ristrukturimi, vendimin e detajuar të kryesisë, ku detajon arsyen e mbajtjes së zgjedhjeve.

“Me qëllim rritjen e efektivitetit të strukturave të partisë si dhe forcimin e rolit të tyre për zbatimin e detyrave politike, me qëllim zgjerimin dhe përtëritjen e anëtarësisë së partisë si dhe energjizimin dhe rritjen e motivit të saj”, – thuhet në udhëzim. 14 degë krijohen të reja, ndërsa në 21 të tjera zgjedhjet do të mbahen për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale.

Basha, në udhëzimin e tij u jep sërish të drejtën për të rikandiduar kryetarëve aktualë, por më parë ata duhet të japin dorëheqjen nga posti aktual.

“Në rastin e zgjedhjeve të reja në degën ekzistuese, kryetari aktual i degës i paraqet me shkrim kryetarit të grupit të punës dorëheqjen nga funksioni i tij, në rast se ai kërkon të kandidojë për pozicionin e kryetarit të degës. Pas dorëheqjes, ai mbetet anëtar i kryesisë së degës dhe angazhohet në plotësimin e detyrave organizative sipas këtij vendimi”, – citohet udhëzimi që mban firmën e kryetarit Basha.

Ndërkaq pritet që kryetarët aktualë të degëve të japin dorëheqjen, siç ndodhi me kryetarin e PD-së Pogradec, ose dhe të rikandidojnë për zgjedhjet në zonat përkatëse. Të mandatuarit për organizmin e strukturave në qarqe kanë filluar tashmë takimet me strukturat në bazë dhe pritet që në ditët në vijim të përcaktohen edhe kandidatët në garën për drejtimin e degëve. Vendimi i kryesisë për të dërguar në zgjedhje këto degë të PD-së u mor pas konkluzioneve të dala nga procesi i analizës së zgjedhjeve lokale të vitit të shkuar, ku PD-ja humbi në pjesën më të madhe të bashkive.

Exit mobile version